Hamza premton revolucion në shëndetësi: 50% rritje të pagave dhe fund i listave të pritjes
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar një ndryshim rrënjësor në sistemin shëndetësor të Kosovës.
Gjatë një takimi me përfaqësues të sektorit shëndetësor në Prizren, Hamza ka prezantuar një platformë ambicioze që synon të përmirësojë në mënyrë drastike kushtet e punës së mjekëve dhe të ofrojë shërbime më të mira për qytetarët.
Një nga premtimet kryesore të Hamzës është rritja e pagave për mjekët, infermierët dhe të gjithë punonjësit e sektorit shëndetësor me 50%. Kjo masë, sipas tij, do të ndihmojë në mbajtjen e stafit mjekësor në vend dhe tërheqjen e specialistëve të rinj.
Gjithashtu, Hamza ka premtuar të eliminojë plotësisht kostot për pacientët në spitalet publike, duke aktivizuar në mënyrë efektive sistemin e sigurimeve shëndetësore. Një tjetër problem i madh që do të adresohet është ai i listave të pritjes për shërbime mjekësore, të cilat do të eliminohen plotësisht.
“Në çdo spital do të aktivizohet sistemi digjital që përmban kartelën mjekësore të çdo pacienti, me qasje të lehtë nga mjekët”, ka thënë Hamza.
Kandidati i PDK-së ka theksuar se këto premtime janë të realizueshme dhe se ekipi i tij është i përkushtuar t’i zbatojë ato në praktikë.