Hamza premton përkrahje për inovacionin dhe digjitalizimin e Kosovës
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në kuadër të fushatës elektorale, vizitoi Qendrën e Inovacionit të Kosovës.
Gjatë kësaj vizite, Hamza theksoi rëndësinë e mbështetjes së të rinjve inovatorë dhe premtoi të ndërmarrë një sërë masash për të nxitur zhvillimin e sektorit të teknologjisë së informacionit në vend.
Një nga premtimet kryesore të Hamzës ishte rritja e aksesit të të rinjve në financa për realizimin e ideve të tyre inovative. Ai propozoi rritjen e fondit për garancimin e kredive, duke theksuar se shumë të rinj me ide të shkëlqyera ballafaqohen me vështirësi në marrjen e kredive nga bankat për shkak të mungesës së historikut bankar.
“Në programin tonë përveç lehtësirave në pjesën e politikave fiskale në uljen e tatimeve, e kemi lehtësimin në qasjen e financave për fondin për garantimin e kredive. Do të rritet kapitali, do të rriten dritaret, do të rritet fushëveprimtaria e këtij fondi sepse vajzat dhe djemt e ri munden me pas ide të mira, ide inovative e kualifikime të duhura mirëpo u mungon historiku me banka dhe bankat nuk e financojnë për shkak se ju thonë që nuk kanë historik”, tha Hamza.
Gjithashtu, Hamza premtoi të përshpejtojë procesin e digjitalizimit të administratës publike, duke përfshirë sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe shërbimeve të tjera publike. Sipas tij, digjitalizimi do të çojë në rritjen e efikasitetit të shërbimeve publike dhe do të krijojë një ambient më të mirë për zhvillimin e biznesit.
Duke iu drejtuar të rinjve, Hamza i ftoi ata të qëndrojnë në Kosovë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit. Ai theksoi se sektori i teknologjisë së informacionit është një fushë me perspektivë të madhe dhe se Kosova ka potencialin për të u bërë një qendër e rëndësishme e inovacionit në rajon.