Duke ndjekur hapat e të atit, djali i Jakup Krasniqit, Altini kandidat për deputet nga PDK
Altin Krasniqi, biri i ish-kryeparlamentarit dhe ish-përfaqësuesit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, është bashkuar me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e ardhshme.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka mirëpritur me entuziazëm vendimin e Altin Krasniqit për t’u bashkuar me partinë. “Altin përfaqëson premtimin e një gjenerate të re, të gatshme për të çuar përpara vlerat tona të përbashkëta,” ka thënë Krasniqi.
Vendimi i Altin Krasniqit për të hyrë në politikë vjen si një vazhdimësi e trashëgimisë së të atit, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në luftën për lirinë e Kosovës. Altin Krasniqi ka theksuar se inspirimi i tij më i madh është pikërisht babai i tij, dhe se ai dëshiron të ndjekë hapat e tij duke shërbyer vendit të tij.
“I frymëzuar nga trashëgimia e babit, kam vendosur edhe unë të bëj hapin tim dhe t’i bashkohem Partisë Demokratike të Kosovës si kandidat për deputet,” ka thënë Altin Krasniqi. “Ka ardhur koha që gjenerata jonë të marrë përgjegjësi, që duke nderuar sakrificat e së kaluarës, të punojmë shumë për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për të gjithë, pa dallim.”