Balotazhi në Suharekë, KQZ: Përdorni platformën online për të parë Qendrën tuaj të Votimit

08.11.2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të verifikojnë vendin ku janë caktuar të votojnë përmes platformës elektronike të KQZ-së.

Për të përdorur këtë shërbim, votuesi duhet të futë numrin personal të Republikës së Kosovës dhe datën e lindjes. Pas futjes së këtyre të dhënave, do të hapet një faqe që shfaq të dhënat e votuesit, duke përfshirë adresën e saktë të Qendrës së Votimit ku është caktuar të votojë. Adresa mund të shihet edhe në GoogleMap, për një orientim më të lehtë.

KQZ kujton se çdo votues mund të votojë vetëm në komunën ku është i regjistruar, pasi në Zgjedhjet Lokale çdo komunë përbën një zonë zgjedhore të veçantë, dhe fletëvotimet dërgohen vetëm për votuesit e asaj komune.

Gjithashtu, votimi me kusht lejohet vetëm brenda komunës së regjistruar dhe realizohet në një Qendër të veçantë për votim me kusht, të caktuar nga KQZ. Në secilën komunë, KQZ ka përcaktuar një Qendër Votimi për votimin me kusht, për të mundësuar pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve që nuk mund të votojnë në vendvotimin e tyre të zakonshëm.

Qytetarët ftohen të përdorin platformën online për të shmangur konfuzionin dhe për të siguruar një përvojë më të lehtë gjatë ditës së zgjedhjeve.