Lansohet fushata “Diaspora Voton”, u bëhet thirrje mërgimtarëve ta shfrytëzojnë të drejtën e votës

13.01.2021

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës nga 13 janari deri më 21 janar. Përmes një postimi në faqen zyrtare, KQZ-ja ka ofruar një link ku janë të publikuara të […]

Lansohet fushata “Diaspora Voton”, u bëhet thirrje mërgimtarëve ta shfrytëzojnë të drejtën e votës Foto: Ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës nga 13 janari deri më 21 janar.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, KQZ-ja ka ofruar një link ku janë të publikuara të gjitha informacionet e detajtuara se si të aplikohet për regjistrim.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që jetojnë jashtë Kosovës dhe që i plotësojnë kriteret ligjore përkatëse – që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe pastaj edhe të votojnë për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në postim

Ndërsa organizata Germin ka lansuar fushatën “Diaspora Voton”, duke u bërë thirrje qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit që të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës në afatet e përcaktuara nga institucioni i përmendur më lart.

Më poshtë komunikata e plotë e Germin:

Sot, me datën 13 janar 2021, kur edhe fillon periudha e regjistrimit për votimin përmes postës, GERMIN lanson fushatën “DIASPORA VOTON”.

Organizata GERMIN u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit që të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës në afatet e përcaktuara nga KQZ e që janë 13 deri më 21 janar në orën 18:00, sipas kohës lokale në Kosovë.

Vota e diasporës ka qenë dhe është e rëndësishme për demokratizimin e vendit. Qytetarët jashtë vendit e kanë të garantuar me ligj të drejtën e votës sikur të gjithë të tjerët që jetojnë në Kosovë, prandaj është shumë i rëndësishëm ushtrimi i kësaj të drejte, e cila ndikon drejtpërdrejt në legjitimitetin e të zgjedhurve në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe përfaqësimin e interesave të diasporës në të.

Periudha e aplikimit për regjistrim është shumë e rëndësishme, në mënyrë që më pas të votoni.

Nëse keni nevojë për informata shtesë rreth mënyrës së votimit nga diaspora, lehtësimeve dhe të tjera, ekipi i GERMIN mbetet i gatshëm dhe i qasshëm në çdo kohë deri në përfundim të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të 14 shkurtit.