Kurti: 14 shkurti do të jetë referendum, qytetarët do zgjedhin në mes të koniukturave të vjetra dhe politikanëve të një epoke të re

26.01.2021

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti ka marrë pjesë në diskutimin e organizuar nga instituti i njohur ndërkombëtar “Wilson Center”, ku ka folur për zgjedhjet e 14 shkurtit dhe dialogun me Serbinë. Kurti në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se në këtë diskutim ka theksuar se zgjedhjet e 14 […]

Kurti: 14 shkurti do të jetë referendum, qytetarët do zgjedhin në mes të koniukturave të vjetra dhe politikanëve të një epoke të re

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti ka marrë pjesë në diskutimin e organizuar nga instituti i njohur ndërkombëtar “Wilson Center”, ku ka folur për zgjedhjet e 14 shkurtit dhe dialogun me Serbinë.

Kurti në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se në këtë diskutim ka theksuar se zgjedhjet e 14 shkurtit janë referendum për Kosovën. Ai ka thënë se këto zgjedhje do t’ju mundësojnë qytetarët të zgjedhin në mes të koniukturave të vjetra dhe politikanëve të një epoke të re.

Ndërsa sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti ka thënë se ky proces nuk duhet të ndërtohet mbi harta sikurse ka ndodhur në të kaluarën.

“Me qindra pjesëmarrës të kësaj ngjarjeje, përgjithësisht ekspertë ndërkombëtar, ishin të interesuar të njihen me qëndrimet tona në lidhje me raportet me vendet e rajonit, në veçanti për dialogun me Serbinë. Thashë se dialogu duhet të jetë një proces i cili bazohet në përmbajtjen e marrëveshjes, e jo në ngutinë për ta arritur atë. Dialogu nuk duhet të ndërtohet mbi harta dhe mbi harta nuk duhet të ketë presidentë rrotull si në të kaluarën. Parakusht për normalizimin e raporteve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë normalizimi i vetë vendeve nëpërmjet këtij procesi. Serbia nuk është një vend demokratik, ajo refuzon të ballafaqohet me të kaluarën, prandaj ky proces dialogues i ndërmjetësuar nga BE dhe ShBA, së pari do të duhej ta normalizonte Serbinë”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

Mbrëmë mora pjesë në diskutimin e organizuar nga Instituti i njohur ndërkombëtar Wilson Center, me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nën moderimin e ekspertit të marrëdhënieve ndërkombëtare, drejtor i programit të Evropës në kuadër të Wilson Center, z. Daniel Hamilton, në diskutim u trajtuan temat aktuale të politikës së brendshme dhe të jashtme të Republikës së Kosovës.

Aty theksova që 14 shkurti do të jetë referendum, i cili do t’ua mundësojë qytetarëve të zgjedhin mes koniukturave të vjetra dhe politikanëve të një epoke të re, për t’u përballur me krizat e shumëfishta të cilat po e rëndojnë gjendjen e qytetarëve. Përmirësimi i situatës socio-ekonomike të vendit është i mundur vetëm nëpërmjet zhvillimit ekonomik, që varet edhe nga investimet e jashtme direkte, me theks tek ato nga diaspora e vendit tonë.

LEXO EDHE:  Kurti i kërkon Bosnje e Hercegovinës që të lëviz me shpejtësi për heqjen e regjimit të vizave për kosovarët

Në 20 vitet e fundit, këto investime u pamundësuan nga korrupsioni i lartë e krimi i organizuar i elitës së vjetër. Prandaj, reforma në drejtësi dhe sundimi i ligjit janë parakushte për zhvillimin ekonomik. Pjesëmarrësit i njoftova se të gjitha këto hapa janë paraparë në Alternativën qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ndërtohet rreth dy kërkesave bazë të qytetarëve: Punë dhe drejtësi.

Me qindra pjesëmarrës të kësaj ngjarjeje, përgjithësisht ekspertë ndërkombëtar, ishin të interesuar të njihen me qëndrimet tona në lidhje me raportet me vendet e rajonit, në veçanti për dialogun me Serbinë. Thashë se dialogu duhet të jetë një proces i cili bazohet në përmbajtjen e marrëveshjes, e jo në ngutinë për ta arritur atë. Dialogu nuk duhet të ndërtohet mbi harta dhe mbi harta nuk duhet të ketë presidentë rrotull si në të kaluarën.

Parakusht për normalizimin e raporteve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë normalizimi i vetë vendeve nëpërmjet këtij procesi. Serbia nuk është një vend demokratik, ajo refuzon të ballafaqohet me të kaluarën, prandaj ky proces dialogues i ndërmjetësuar nga BE dhe ShBA, së pari do të duhej ta normalizonte Serbinë. Synim përfundimtar i këtij procesi do të duhej të ishte përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe jo kompensimi i Serbisë për humbjet që i pësoi regjimi gjenocidal i Milosheviqit në vitet e ’90-ta.

Një marrëveshje mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila bazohet në vlera dhe parime, përveçse në fakte e interesa, do të kishte ndikim pozitiv në tërë rajonin, i cili së bashku duhet të përparojë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

Procesi i integrimit mund të përshpejtohet me një bashkëpunim më intensiv të vendeve të rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit që duhet avancuar nga një “Plan Marshal” për Ballkanin Perëndimor, që do të ndihmonte në demokratizimin e vendeve, zhvillimin e ekonomive të tyre dhe bashkimin e qyteteve të ndara, të cilat mbesin si plagë të hapura në disa vende të Ballkanit.

Etiketat