Ismaili: Një Kosovë stabile, trashëgimi e PDK-së

Uran Ismaili, sekretar i Partisë Demokratike të Kosovës, beson se qeverisja e partisë së tij për 12 vjet (2017 – 2019), ka qenë model dhe se sipas tij, “një Kosovë stabile është trashëgimi” e asaj që ka bërë PDK-ja.

Ismaili i ftuar në Deskun e KOHËS pati kritika për dy qeveritë që erdhën pas largimit të PDK-së nga pushteti, asaj Kurti dhe Hoti.

“Unë mendoj që trashëgimia që kemi lënë ne ka qenë një Kosovë stabile, një Kosovë me borxhin më të ulët publik në rajon, një Kosovë që e kemi lënë me 2,2 miliardë euro buxhet, ndërkohë e kishim gjetur me 600 milionë euro, një Kosovë e cila ka krijuar një infrastrukturë pa borxhe, e ka rritur infrastrukturën shkollore, një ekonomi e cila ka pasur gjithnjë rritje gjatë tërë kohës dhe tani jemi në një situatë kur ekonomia është në rënie, kur është në humbje, ka pasur dhe do të ketë humbje të mëdha dhe çfarë reagimi kemi nga qeveritë?”, ka thënë Ismaili.

Ai ka thënë se qeveritë Kurti e Hoti vepruan në kundërshtim me situatën. Po ashtu, i kritikoi për vonesat në miratimin e pakove financiare gjatë kohës së pandemisë.

“Është bërë një kërkesë nga shumë ekonomistë, që gjatë kohës së pandemisë qeveritë të reagojnë, ju kujtohen qeveritë evropiane dhe ka qenë një kërkesë të bëhet një pako, një intervenim duke konsideruar që të jetë sa më i gjerë e të prekë sa më shumë njerëz dhe të bëhet sa më shpejt.

Të dy këto parime nuk janë respektuar nga ana e qeverive, në ekonomi nuk është bërë asnjë lloj investimi, përkundrazi, gjatë Qeverisë Kurti, ministri i Financave në atë kohë i ndali edhe investimet kapitale, që është kundër logjikës dhe kundër rregullave të krizave. Pra në kohë të krizave, ti lejon shpenzimin e parave, pasi e vetmja mënyrë që paraja me mbërri te qytetari është përmes investimeve kapitale, pos skemave sociale”, ka thënë ai.

RAPORTO