Prizren, policia sekuestron dy armë zjarri gjatë gazmendeve familjare, dy të dyshuar ndalohen për 48 orë
Policia e Kosovës në Prizren ka sekuestruar dy armë zjarri në dy raste të ndara, të ndodhura gjatë gazmendeve familjare, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm për sigurinë publike.
Rasti i parë – Rruga “Refik Shala”, Prizren
Më 16 gusht 2025, rreth orës 01:40, policia ka pranuar informacion për të shtëna me armë gjatë një ahengu familjar. Patrullat policore kanë dalë në vendngjarje, ku kanë gjetur gëzhoja në tokë dhe kanë identifikuar personin e dyshuar, i cili ka pranuar se kishte shtënë me armë.
Hetuesit dhe ekipi i krim-teknikës kanë sekuestruar një armë me gaz dhe 17 gëzhoja.
Rasti i dytë – Fshati Lubizhdë e Hasit, Prizren
Më 18 gusht 2025, pas raportimit për të shtëna me armë në një gazmend familjar në fshatin Lubizhdë e Hasit, policia ka ndërhyrë duke identifikuar të dyshuarin. Ky i fundit ka dorëzuar një armë me gaz të llojit Zoraki, së bashku me 7 fishekë dhe 4 gëzhoja të gjetura në vendngjarje. Arma është sekuestruar nga njësia e krim-teknikës, ndërsa i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Sipas njoftimit, me urdhër të Prokurorit kujdestar është iniciuar rast penal ndaj të dy të dyshuarve, të cilët pas intervistimit janë ndaluar për 48 orë.
Policia apelon për kujdes dhe vetëdije, duke rikujtuar thirrjen:
“Festo me zemër, jo me armë.”