Kurti premton mbi 12 milionë euro për transformimin e stadiumit të Prizrenit

05.12.2025

Stadiumi “Përparim Thaçi” në Prizren po hyn në një fazë të re zhvillimi, falë një investimi prej mbi 12 milionë eurosh të nënshkruar nga Qeveria në detyrë e Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur sot se kontrata për transformimin e plotë të arenës është finalizuar dhe se punët përgatitore kanë nisur tashmë.

Ky projekt pritet ta shndërrojë stadiumin e qytetit në një ndër objektet më moderne sportive në vend, duke plotësuar standardet e avancuara të futbollit dhe duke krijuar kushte të reja për zhvillim të sportit në Prizren e më gjerë.

Sipas njoftimit, krahas tribunave ekzistuese në lindje dhe perëndim, stadionit do t’i shtohen edhe dy tribuna të reja në veri dhe jug, duke e rritur kapacitetin në rreth 7,800 ulëse. Ky transformim synon të përmirësojë përvojën e tifozëve dhe të krijojë infrastrukturë të denjë për klubin e zemrës së qytetit, KF Lirinë.

“Kosova do ta ketë infrastrukturën më të mirë sportive në rajon. Po investojmë mbi 200 milionë euro në stadiume të futbollit gjithandej Republikës”, ka theksuar Kurti, duke nënvizuar se ky projekt është pjesë e një strategjie më të gjerë të modernizimit të infrastrukturës sportive në të gjithë vendin.

Arenat e reja dhe investimet e tilla pritet që jo vetëm t’i japin shtytje futbollit kosovar, por gjithashtu të nxisin zhvillimin e komuniteteve lokale, sportit të të rinjve dhe organizimit të ngjarjeve më të mëdha sportive në të ardhmen.

Punimet në Prizren tashmë kanë filluar dhe stadiumi i ri do të jetë një qendër e rëndësishme e sportit dhe kulturës, duke e vendosur qytetin në hartën e infrastrukturës më moderne të futbollit në Kosovë.