Racizmi në stadium, ministri Çeku: “U mbrojt shteti i Kosovës”

16.11.2024

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar ashpër ndaj incidenteve raciste që ndodhën gjatë ndeshjes së futbollit mes Kosovës dhe Rumanisë në Bukuresht.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Çeku e ka cilësuar të papranueshme dhe të trishtë sjelljen e tifozëve rumunë, të cilët, sipas tij, kanë përhapur mesazhe politike dhe brohoritje provokuese.

“Ngjarja e djeshme shkel thellësisht vlerat e sportit, i cili duhet të shërbejë për bashkim dhe jo për nxitjen e urrejtjes dhe përçarjes”, ka theksuar Çeku.

Ministri ka dënuar me forcë çdo formë të racizmit dhe fyerjeve ndaj shtetit të Kosovës, duke bërë thirrje për ndërmarrje të menjëhershme nga institucionet ndërkombëtare të futbollit.

“Ofrojmë gjithashtu mbështetjen tonë të plotë për Federatën e Futbollit të Kosovës të cilët kanë nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s”, ka shtuar ai.

Reagimi i ministrit Çeku vjen pas një situate të tensionuar në stadium, ku tifozët rumunë janë akuzuar për sjellje raciste dhe për fyerje ndaj simbolikave kombëtare të Kosovës.

Ky incident ka ngjallur reagime të forta në opinionin publik kosovar, duke nxitur debatet rreth tolerancës, sportit të pastër dhe rolit të institucioneve ndërkombëtare në luftimin e racizmit në sport.