Suhareka gati për stadiumin sipas standardeve të UEFA-së, nesër vendoset gurthemeli

01.09.2025

Suhareka do të bëhet me një stadium të ri modern, i cili pritet të sjellë një frymë të re për sportistët dhe sportdashësit e komunës.

Nesër, më 2 shtator, nga ora 14:00 do të zhvillohet ceremonia e vënies së gurthemelit për këtë projekt madhor.

Stadiumi i ri do të ndërtohet sipas standardeve më të larta të UEFA-s dhe do të ketë një kapacitet prej 6,518 ulësesh. Përveç tribunave të reja, ai do të përfshijë edhe infrastrukturë moderne që do të plotësojë nevojat e klubeve sportive dhe tifozëve, duke e ngritur nivelin e organizimit të ndeshjeve në Suharekë.

Ky projekt po realizohet falë bashkëpunimit të ngushtë mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Suharekës. Ministria, e udhëhequr nga Hajrulla Çeku, ka siguruar financimin, ndërsa komuna ka ofruar hapësirën e nevojshme për ndërtim. Kryetari i Suharekës ka falënderuar ministrin për angazhimin, duke theksuar se kjo nuk është hera e parë që dy institucionet bashkëpunojnë për projekte në dobi të qytetarëve.

Ky investim shihet jo vetëm si përmirësim i kushteve për sportin, por edhe si një mundësi për gjallërimin e jetës ekonomike dhe sociale të qytetit, përmes aktiviteteve sportive dhe ngjarjeve që stadiumi i ri do të mundësojë.

Suhareka, me traditë të gjatë në futboll, tashmë është në prag të një epoke të re ku sportistët dhe tifozët do të kenë kushte dinjitoze për të përjetuar emocionet e lojës.