Kosova U16 shkëlqen në start të turneut në Tiranë, mposht San Marinon me rezultat të thellë 7:0
Kombëtarja e Kosovës U16 ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme turneun zhvillimor të UEFA-s që po mbahet në Tiranë. Dardanët e rinj shfaqën forcën e tyre duke e mposhtur bindshëm San Marinon me rezultat 7:0 në ndeshjen e parë.
Të udhëhequr nga trajneri Mehmed Kurda, futbollistët kosovarë zhvilluan një paraqitje dominuese gjatë gjithë takimit, duke shfaqur një nivel të lartë të lojës kolektive dhe cilësi individuale.
Aron Babaj ishte ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 9-të, duke shfrytëzuar në maksimum asistimin e Unejs Mustafës. Avantazhi u dyfishua në minutën e 20-të, kur Andi Kelmendi gjeti rrugën drejt rrjetës, këtë herë me Babajn në rolin e asistuesit. Vetëm dy minuta më vonë, Unejs Krasniqi u tregua i sigurt nga pika e bardhë e penaltisë, duke e çuar rezultatin në 3:0. Përpara se të mbyllej pjesa e parë, në minutën e 47-të, ishte përsëri Unejs Mustafa që shënoi, duke vulosur shifrat e pjesës së parë në 4:0.
Edhe në fraksionin e dytë të lojës, Dardanët e rinj vazhduan me të njëjtin ritëm dhe u shpërblyen me edhe tre gola të tjerë. Lorent Aliu realizoi golin e pestë në minutën e 80-të, pas një pasimi të Leon Ademit. Vetëm tre minuta më vonë, në minutën e 83-të, Edi Gajtani shënoi golin e gjashtë. Fitorja e thellë u vulos në minutën e 86-të nga Bebart Selmani, i cili shënoi pas asistimit të Albion Rexhepit.
Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri Mehmed Kurda nuk e fshehu kënaqësinë për paraqitjen e skuadrës së tij. “Sot patëm një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen e parë të këtij turneu. Në pjesën e parë u treguam mjaft efikas duke shënuar katër gola. Në pjesën e dytë rezultuan të suksesshme edhe zëvendësimet. Madje loja e paraqitur ishte edhe më e mirë. Shpresoj që edhe në dy ndeshjet e tjera të kemi paraqitje të mira dhe të triumfojmë në këtë turne”, u shpreh Kurda.
Ndeshjen e dytë në këtë turne, Kosova U16 do ta zhvillojë më 22 prill kundër Andorrës, ndërsa sfida e fundit do të jetë ajo kundër Shqipërisë, më 25 prill. Starti i mbarë i Dardanëve të rinj jep shpresa për një paraqitje të suksesshme në vazhdim të këtij turneu zhvillimor.