Gjigantët teknologjikë bëhen bashkë për t’i luftuar përmbajtjet mashtruese të AI-së në zgjedhje

19.02.2024

Një grup prej 20 kompanish teknologjike kanë bërë të ditur në fundjavë se janë dakorduar që të punojnë së bashku për të parandaluar që përmbajtjet mashtruese të inteligjencës artificiale të ndërhyjnë në zgjedhjet që do të mbahen në gjithë botën këtë vit, raportoi të hënën Reuters.

Gjigantët teknologjikë bëhen bashkë për t’i luftuar përmbajtjet mashtruese të AI-së në zgjedhje Foto: Ilustrim

Zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale gjeneruese, e cila mund të krijojë tekste, imazhe dhe video në përgjigje të kërkesave, ka rritur frikën se teknologjia e re mund të përdoret për të ndikuar në zgjedhjet e mëdha këtë vit, pasi në më shumë se gjysmën e botës popullsia do t’i drejtohet qendrave të votimit.

Nënshkruesit e marrëveshjes, e cila u njoftua në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, përfshijnë kompani që po ndërtojnë modele gjeneruese të AI-së të përdorura për të krijuar përmbajtje, duke përfshirë OpenAI, Microsoft dhe Adobe. Nënshkrues të tjerë përfshijnë platformat e rrjeteve sociale që do të përballen me sfidën e mbajtjes së përmbajtjes së dëmshme jashtë faqeve të tyre, të tilla si Meta, TikTok dhe X, e njohur më parë si Tëitter.

Marrëveshja përfshin angazhime për të bashkëpunuar në zhvillimin e mjeteve për zbulimin e imazheve mashtruese të krijuara nga AI-ja, video dhe audio, krijimin e fushatave të ndërgjegjësimit të publikut për të edukuar votuesit mbi përmbajtjen mashtruese dhe marrjen e masave për përmbajtje të tilla në shërbimet e tyre.

“Mendoj se dobia e kësaj marrëveshjeje është gjerësia e kompanive që e nënshkruajnë atë”, ka thënë Nick Clegg, president i çështjeve globale në Meta Platforms.

Inteligjenca artificiale gjeneruese tashmë po përdoret për të ndikuar në politikë dhe madje për të bindur njerëzit që të mos votojnë.Në janar, një thirrje robotike duke përdorur audio të rreme të Presidentit të SHBA-së, Joe Biden u qarkulloi votuesve të New Hampshire, duke u kërkuar atyre të qëndrojnë në shtëpi gjatë zgjedhjeve paraprake presidenciale të shtetit.