Nga oferta të lira te mashtrimet: çfarë po ndodh në Facebook Marketplace
Mashtrimet në platformën Facebook Marketplace janë në rritje të vazhdueshme, duke kthyer një nga mjetet më të përdorura për shitblerje online në një hapësirë gjithnjë e më të rrezikshme për përdoruesit.
Foto: Ilustrim
Sipas raportimeve nga Guard.io, këto raste nuk janë më të rralla, por po shndërrohen në një fenomen global që prek miliona përdorues.
Arsyeja kryesore lidhet me mungesën e një sistemi të integruar pagesash dhe mbrojtjeje për blerësit, pasi transaksionet zhvillohen drejtpërdrejt mes palëve.
Mashtruesit zakonisht publikojnë produkte me çmime shumë më të ulëta se tregu, krijojnë ndjenjë urgjence dhe i shtyjnë blerësit të bëjnë pagesa paraprake.
Në shumë raste, komunikimi zhvendoset në aplikacione si WhatsApp dhe pas transferimit të parave, shitësi zhduket pa dorëzuar produktin.
Ekspertët theksojnë se rritja e përdorimit të rrjeteve sociale për tregti, hapja e lehtë e profileve të rreme dhe përdorimi i teknologjive të avancuara po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë identifikimin e mashtrimeve.
Edhe në Kosovë, ku kjo platformë përdoret gjerësisht për shitblerje të produkteve të përditshme, rreziku mbetet i lartë.
Përdoruesit këshillohen të shmangin pagesat paraprake, të mos largohen nga komunikimi brenda platformës dhe të jenë të kujdesshëm ndaj ofertave që duken shumë të mira për të qenë të vërteta./Hibrid.info/
