Amazon heq dorë nga blerja e fshesave iRobot pas vetos së BE-së
Amazon ka hequr dorë nga blerja e planifikuar prej 1.4 miliard dollarësh të kompanisë së fshesave robotike, iRobot, pas kundërshtimit të BE-së ndaj marrëveshjes.
Bëhet e ditur se, Amazon do t’i paguajë një tarifë prej 94 milionë dollarëve iRobot, e cila menjëherë ka njoftuar se do të largojë nga puna shefin ekzekutiv dhe 31 për qind të fuqisë së saj punëtore.
Të dy kompanitë në një deklaratë të përbashkët njoftuan se marrëveshja e tyre nuk kishte “rrugë të hapur drejt miratimit rregullator në BE”, shkruan The Guardian.
“Pengesat e panevojshme i dekurajojnë sipërmarrësit, të cilët duhet të jenë në gjendje ta shohim blerjen si rrugë drejt suksesit, dhe kjo dëmton si konsumatorët ashtu edhe konkurrencën”, tha këshilltari i përgjithshëm i Amazon, David Zapolsky.
Komisioni Evropian ngriti zyrtarisht shqetësimet për marrëveshjen në nëntor të vitit të kaluar me arsyen se ajo mund të kufizojë konkurrencën në tregun e fshesave robotike.
Që nga viti 2022 kur Amazon njoftoi për marrëveshjen në përpjekje për zgjerimin e linjës së pajisjeve shtëpiake inteligjente, ajo ishte nën shqyrtim nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC).
Por, prishja e marrëveshjes konsiderohet si “zhvillim magjepsës”, pasi gjigant të ndryshëm teknologjik historikisht kanë qenë në gjendje të zgjedhin shqetësimet e BE-së rreth blerjeve.
Për shembull, vitin e kaluar BE ka miratuar propozimin e Microsoft për blerjen e prodhuesit të video-lojërave Activision Blizzard.
Megjithatë, raportohet se vendimi nuk ka të bëjë vetëm me fshesat, por edhe me kontrollin e fuqisë në rritje që gjigantët teknologjik kanë mbi jetën tonë, duke përfshirë të gjitha pajisjet që i përdorim në shtëpitë tona.