Nis implementimi i Platformës Mbarëqeveritare, ministri Jagxhiu: Një hap drejt transformimit digjital të administratës publike
Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulezon Jagxhiu, ka njoftuar fillimin e implementimit të Platformës Mbarëqeveritare (Whole-of-Government Platform – WoG), një projekt që synon avancimin e transformimit digjital të institucioneve publike në Kosovë.
Jagxhiu ka bërë të ditur se kjo platformë nuk përfaqëson vetëm një projekt teknologjik, por një investim në mënyrën se si qeveria planifikon, koordinon, zbaton dhe monitoron politikat publike.
Sipas tij, përmes kësaj platforme synohet kalimi nga proceset e fragmentuara drejt një administrate më të integruar, të koordinuar dhe të bazuar në të dhëna.
“Platforma WoG do të krijojë një hapësirë të përbashkët digjitale për institucionet, duke mundësuar planifikimin strategjik, monitorimin e Programit të Qeverisë dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, menaxhimin e rrjedhave të punës, raportimin analitik dhe integrimin me sistemet ekzistuese qeveritare”, ka deklaruar Jagxhiu.
Ai ka theksuar se platforma do të lidhet edhe me sistemet e menaxhimit të financave publike, burimeve njerëzore, pagave, aseteve, legjislacionit dhe sistemeve të tjera të përbashkëta institucionale.
Sipas ministrit, standardizimi i proceseve dhe automatizimi i punëve administrative do të ndikojnë në uljen e barrës brenda institucioneve, thjeshtimin e procedurave dhe rritjen e efikasitetit.
Gjatë fazës së implementimit, institucionet pjesëmarrëse do të analizojnë dhe validojnë kërkesat funksionale dhe teknike të platformës, me qëllim që ajo të përshtatet me nevojat konkrete të administratës publike.
“Një qeveri moderne nuk ndërtohet vetëm mbi teknologjinë, por mbi procese të standardizuara, bashkëpunim institucional, menaxhim të bazuar në të dhëna dhe llogaridhënie”, ka përfunduar Jagxhiu.
