VV Therandë: Qeverisja komunale po dështon me buxhetin, investimet kapitale në kolaps
29.04.2025
Lëvizja VETËVENDOSJE! në Therandë ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me mënyrën e administrimit të Buxhetit Komunal për tremujorin e parë të vitit 2025 (janar-mars) nga qeverisja aktuale e komunës.
Sipas VV-së, raporti i prezantuar tregon qartë paaftësi menaxhuese dhe mungesë vizioni zhvillimor në menaxhimin e fondeve publike. Ata kanë theksuar disa nga dështimet më të mëdha:
- Investimet kapitale në kolaps: Nga mbi 5.2 milionë euro të ndara për projekte kapitale, janë shpenzuar vetëm 10.65%, ndërsa nga të hyrat vetanake nuk është shpenzuar asnjë cent. VV thekson se qindra projekte jetike për qytetarët kanë mbetur të paprekura si pasojë e mungesës së kapaciteteve menaxheriale.
- Buxheti shpenzohet për paga, jo për qytetarët: Mbi 68% e shpenzimeve komunale kanë shkuar për paga dhe shtesa, duke margjinalizuar investimet në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe mirëqenie. VV e sheh këtë si tregues se institucionet janë kthyer në strehë punësimi në vend se në instrumente zhvillimi.
- Rënie e të hyrave vetanake: Realizimi i vetëm 53.79% i tatimit në pronë tregon, sipas VV-së, mungesë angazhimi në mobilizimin e të hyrave dhe injorim të përgjegjësive ligjore ndaj qytetarëve.
- Drejtori pa performancë, pa llogaridhënie: Drejtoria e Bujqësisë me vetëm 1.72% të buxhetit të shpenzuar dhe ajo për shërbime publike me 5.95% janë dëshmi e qeverisjes jofunksionale, ndërkohë që mungon transparenca për këto dështime.
Lëvizja VETËVENDOSJE! në Therandë ka përfunduar duke theksuar se qytetarët e kësaj komune meritojnë më shumë se një buxhet të paprekur dhe një komunë të bllokuar, duke e konsideruar kohën për ndryshim si të pashmangshme.