Vazhdon dhënia e dëshmive ndaj ish-komandantit “Molla e Kuqe” i akuzuar për krime lufte, deklarohet vëllau i të ndjerit

15.10.2020

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren ka vazhduar dhënia e dëshmive në  gjykimin ndaj ish-komandantit të UQK-së, Remzi Shalës, i akuzuar për krime lufte. Në këtë seancë dëshminë e tij e dha Sejdi Përteshi, vëllau i viktimës Haxhi Përteshi. Në fillim të dëshmisë, dëshmitari deklaroi se nuk ka dhënë asnjëherë deklaratë në Polici apo […]

Vazhdon dhënia e dëshmive ndaj ish-komandantit “Molla e Kuqe” i akuzuar për krime lufte, deklarohet vëllau i të ndjerit Foto: Remzi Shala UÇK

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren ka vazhduar dhënia e dëshmive në  gjykimin ndaj ish-komandantit të UQK-së, Remzi Shalës, i akuzuar për krime lufte.

Në këtë seancë dëshminë e tij e dha Sejdi Përteshi, vëllau i viktimës Haxhi Përteshi.

Në fillim të dëshmisë, dëshmitari deklaroi se nuk ka dhënë asnjëherë deklaratë në Polici apo në Prokurori, ndërsa hera e vetme kur është deklaruar ka qenë para 1 viti në këtë Gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues Raima Elezi, se kush ka qenë komandant në pikën e Grajqevcit, dëshmitari deklaroi se thoshin se ka qenë komandant “Guri”. Tutje ai deklaroi se e ka njohur komandant “Gurin” sepse kanë qenë fqinj, dhe sipas tij, kanë qenë me një largësi diku 10 km, por që nuk ka pas ndonjë lidhje shoqërie me të.

Dëshmitari tutje deklaroi se “unë dhe vëllai Haxhiu kemi shtëpitë larg diku 300 metra, atë natë kur është marr Haxhia me thënë se kam qenë në shtëpi nuk jam bash i sigurt, kam mund të jem në atë kohë edhe në Malishevë. Diku në fillim në muajin qershor të vitit 1998, në mesë dite kah ora 11:00 – 12:00 me një komshi Shaban Shukolli me kerrin tim ‘Lada’ , unë si vozitës kemi shkuar në fshatin Reshtanë ku Shabani ka pasur të marr një borxhe të vetin, në kthim për në shtëpi na ka ndal një ushtarë për mua i panjohur, në gjuhën shqipe na tha të zbresim prej kerrit, pastaj erdhën edhe 3 ushtarë të tjerë me veturë ‘Mercedes’ ngjyrë hiri, njeri prej tyre kishte pak mjekër, ata na lidhën duart me konop dhe sytë me shami dhe na vendosën në veturë ‘Mercedes’, ushtari me mjekër ka qenë i ulure afër vozitësit, ndërsa unë dhe Shabani prapa dhe na dërguan në Malishevë nëpër rrugët dytësore deri në një sallon mobilesh, nuk e di sa kohë kemi udhëtuar”, ka thënë dëshmitari.

Ai tutje ka sqaruar se kanë qëndruar për dy ditë në atë sallon, ku më pas ushtarët kanë biseduar me ta për arsyen pse kanë lëvizur në atë zonë.

“Në atë sallon kemi qenë bashkë me Shaban Shukollin për dy ditë, të nesërmen ka ardhur një ushtarë me tesha të zeza, nuk më kujtohet a ka pas kapelë pa armë dhe ka filluar bisedën së pari me Shabanin, pse keni hyrë në pikë? Shabani tha se ka pas nevojë sepse në shtëpi nuk ka pasur bukë për familjen dhe se e ka marr komshin si shofer. Pastaj pyetje e njëjta kanë qenë edhe ndaj meje dhe unë i kam shpjeguar arsyen . Pas dy ditësh Shabanin e kanë lëshuar në shtëpi në mëngjes, ndërsa mua më vonë më lëshuan duke më thënë se do të më qojnë në shtëpi me veturë dhe do të pimë kafe sepse ‘ je i pafajshëm’ këto fjalë mi thanë ata dy ushtarë që ishin në veturë bashkë me neve. Sa e di unë Shabani ka shku me autobusë, por nuk jam i sigurt . Në Malishevë një ushtar më ka pyetur se ‘çka e ke Haxhiun’ unë jam përgjigjur se prej babe e nëne e kam vëlla”, ka thënë tutje dëshmitari.

Ai ka shtuar se pasi ka arritur në shtëpi e kishte njoftuar një fqinj i tyre se vëllau i tij është i vdekur dhe trupi i tij gjendej në Duhël.

“Natën kur kam mbrri në shtëpi, të nesërmen në mëngjes një komshi më ka informuar se ‘ kufoma e vëllait juaj baca Haxhi është në Duhël në një stom te xhadja e Malishevës”, ka thënë dëshmitari.

Në pyetjen e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Haki Gecaj, se a mund të tregoni se kur e keni gjetur trupin e Haxhiut, a keni parë ndonjë shenjë, dëshmitari deklaroi se ka vërejtur vetëm shenja në të dy duart, në nyjën e dorës, “sigurisht ka qenë i lidhur, shenja tjera nuk kam vërejtur”.

Tutje dëshmitari tha se Remzi Shalën nuk e ka njohur dhe për herë të parë e ka parë në gjykatë, herën e kaluar kur ka dhënë dëshminë dhe tani.

Dëshmitari po ashtu deklaroi se nuk kanë asgjë të keqe me askënd në fshat apo edhe jashtë fshatit, mirëpo thotë se i ka vrarë vetë buka e tyre që ia kanë dhënë gjithkujt dhe i kanë ndihmuar.

Në pyetjet e drejtuara nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Asdren Hoxha, në lidhje me deklarimet e tij të mëhershme nga procesverbalet e mëparshme, dëshmitari e pohoi se ka deklaruar se, vëllaun e tij  “Ushtria jonë e ka marrë të gjallë dhe e ka kthyer të vdekur”.

Për shkak të pauzës së drekës dhe angazhimit të kryetares së trupit gjykues, Raima Elezi, në një rast me hetim të veçantë, seanca e sotme u ndërpre dhe e njëjta do të vazhdoi nesër nga ora 09:30.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda më 8 korrik 2019, kishte marr aktgjykim me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile duke u dënuar me 14 vite burg.

Por Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin në 10 vjet burgim.

Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj, ndërsa Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte propozuar që kërkesa e mbrojtësit të të dënuarit të refuzohet si e pabazuar.

E Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, në maj të këtij viti, e ka kthyer rastin në rivendosje.

Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shala akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël.