Urim nga Gjermania për Suharekën – Kryetarja e Fellbachut përgëzon Muharremajn për fitoren
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili fitoi mandatin e tij të tretë në zgjedhjet lokale të mbajtura më 9 nëntor, ka marrë një urim të veçantë nga kryetarja e qytetit gjerman të Fellbachut, znj. Gabriele Zull.
Përmes një postimi, kryetari Muharremaj ka shprehur mirënjohje për urimin dhe respektin e treguar nga homologja e tij në qytetin gjerman, me të cilin Suhareka ka lidhje të hershme binjakëzimi.
“I nderuar dhe shumë i respektuar nga urimi i Kryetares së Qytetit të Fellbahut znj. Gabriele Zull. Si dy qytete të binjakëzuara tash e shumë vite, do ta vazhdojmë bashkëpunimin tonë edhe më tutje”, ka shkruar Muharremaj.

Marrëdhëniet ndërmjet Suharekës dhe Fellbachut janë ndër partneritetet më të gjata komunale që Kosova ka me ndonjë qytet gjerman, duke përfshirë bashkëpunime në fusha si arsimi, kultura dhe zhvillimi lokal.
Ky mesazh vjen vetëm pak ditë pas fitores së Muharremajt në raundin e dytë të zgjedhjeve, ku ai siguroi mandatin e tretë si kryetar i Suharekës, duke marrë mbështetjen e shumicës së qytetarëve.