Suharekë: Urdhërarrest për të akuzuarin se plagosi veten dhe bashkë me vëllanë sulmuan të dëmtuarin
K.Q dhe A.Q ngarkohen se kanë shtënë me armë, me të cilën K.Q e kishte plagosur veten aksidentalisht në qafë dhe pas një mosmarrëveshje të dy e kishin sulmuar të dëmtuarin L.B. Gjyqtari Qemail Suka tha se pavarësisht se ndaj tij është urdhëruar shoqërimi me forcë, Policia e Kosovës nuk e ka njoftuar gjykatën për […]
K.Q dhe A.Q ngarkohen se kanë shtënë me armë, me të cilën K.Q e kishte plagosur veten aksidentalisht në qafë dhe pas një mosmarrëveshje të dy e kishin sulmuar të dëmtuarin L.B.
Gjyqtari Qemail Suka tha se pavarësisht se ndaj tij është urdhëruar shoqërimi me forcë, Policia e Kosovës nuk e ka njoftuar gjykatën për një gjë të tillë.
Në seancë ka qenë e pranishme prokurorja Elfete Purova si dhe i akuzuari i dytë A.Q, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjyqtari Suka ka shtyrë seancën e sotme në kohë të pacaktuar dhe ndaj të akuzuarit K.Q ka lëshuar urdhërarrest.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, ngarkon K.Q se në mesnatën e 14 korrikut 2018, në fshatin Shirokë të Komunës së Suharekës, saktësisht tek restoranti “Adea”, me anë të armës së zjarrit shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve.
Aty thuhet se pasi që paraprakisht kishte një mosmarrëveshje me të pandehurin F.Sh dhe L.B, i njëjti nën ndikimin e alkoolit, fillimisht me revolen e markës “Zoraki M914-B”, shtie në ajër brenda në lokal, e më pas pasi del në oborr dhe niset në drejtim të dy të lartpërmendurve.
Tutje sipas aktakuzës, me të parë këtë veprim të pandehurit K.Q, vëllai i tij A.Q mundohet që t’ia marrë revolen dhe mos ta lë të bëjë ndonjë problem. Mirëpo, aty thuhet se në atë moment i pandehuri K.Q shkrep përsëri me revole dhe e godet veten në anën e majtë të qafës, duke shkaktuar plagë të rënda, me të cilat veprime rrezikon vetën dhe të tjerët.
Me këto veprime, K.Q akuzohet se ka kryer veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 365, paragrafi 1 i Kodit Penal, e cila vepër dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Sipas pikës së dytë të aktakuzës, K.Q dhe A.Q akuzohen se më datë dhe vend si në dispozitivin e parë, me dashje sulmojnë fizikisht të dëmtuarin L.B, ashtu që pasi fillimisht ishin duke qëndruar në një tavolinë të përbashkët dhe duke pirë pije alkoolike dhe pije të tjera, për një moment pasi ishin në ndikim të alkoolit fillojnë të fjalosen mes vete. Më pas thuhet se dy të pandehurit fillojnë ta shtyjnë të dëmtuarin dhe e kapin për tesha të trupit dhe qafore, me ç’rast të dëmtuarit ia këpusin qaforen nga qafa dhe ia shqyejnë bluzën, mirëpo nuk i shkaktojnë lëndime trupore.
Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.
I akuzuar për kryerjen e veprës penale “sulmi” në bashkëkryerje nga neni 184, paragrafi 1 të Kodit Penal ka qenë edhe F.Sh, mirëpo i njëjti e ka pranuar fajësinë dhe ndaj tij është veçuar procedura gjyqësore. /BetimipërDrejtësi