Suharekë, Prokuroria akuzoi një person për dy raste që ishte gjykuar me vendime të formës së prerë

24.01.2022

Në rastin e parë, kjo prokurori më 18 tetor 2017 kishte ngritur aktakuzë ndaj K.B., ku atë e ngarkonte me vjedhje pylli, ndërsa me aktgjykimin e përpiluar më 15 korrik 2019 nga Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, kjo aktakuzë ishte refuzuar, ngase ishte vërtetuar se ky rast tashmë ishte i gjykuar dhe ishte […]

Suharekë, Prokuroria akuzoi një person për dy raste që ishte gjykuar me vendime të formës së prerë Foto: Ilustrim

Në rastin e parë, kjo prokurori më 18 tetor 2017 kishte ngritur aktakuzë ndaj K.B., ku atë e ngarkonte me vjedhje pylli, ndërsa me aktgjykimin e përpiluar më 15 korrik 2019 nga Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, kjo aktakuzë ishte refuzuar, ngase ishte vërtetuar se ky rast tashmë ishte i gjykuar dhe ishte bërë i plotfuqishëm.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se në seancën e shqyrtimit gjyqësor të 10 korrikut 2019, prokurori Shpend Binaj ishte tërhequr nga ndjekja penale ndaj të akuzuarit në fjalë, duke thënë se për këtë çështje kemi të bëjmë me një vepër penale për të cilën është gjykuar me aktgjykim të 18 prillit 2019, në bazë të aktakuzës së 14 shtatorit 2017, ku është vërtetuar fakti se K.B., për të njëjtën vepër penale, është gjykuar me aktgjykimin të plotfuqishëm të kësaj gjykate.

“U vërtetua se data e kryerjes së  veprës, koha e kryerjes së veprës, vendi i kryrjes së veprës penale është i njëjtë si me aktakuzën PP.II.nr.1280-6/17 të datës 14.09.2017 dhe me aktakuzën PP.II.nr. 1501-8/17 të datës 18.10.2017 që i vihet në barrë këtu të akuzuarit, kështu që çështja është çështje e gjykuar (res judicata), andaj  për këtë arsye tërhiqem nga ndjekja penale e mëtutjeshme ndaj K.B”, kishte thënë prokurori Binaj.

Lidhur me këtë, në këtë rast, gjykatësi Lavdim Bajraktari kishte shpallur aktgjykim refuzues.

Në rastin e dytë, Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur një aktakuzë tjetër ndaj K.B., duke e akuzuar atë po ashtu për vjedhje pylli, e që edhe kjo aktakuzë ishte refuzuar nga Gjykata e Suharekës me arsyetimin se për të njëtin rast K.B. ishte gjykuar dhe vendimi ishte bërë i formës së prerë.

Kjo aktakuzë ishte ngritur më 23 gusht 2017, ndërsa me aktgjykimin e përpiluar më 24 shtator 2019 nga gjykatësi Lavdim Bajraktari, të siguruar nga “Betimi për Drëjtësi”, thuhet se pas admistrimit të provave personale dhe materiale në shqyrtim gjyqësor dhe pasi prokurori Atnor Skoro ishte tërhequr nga ndjekja penale ndaj të akuzuarit, gjykata kishte shpallur aktgjykim refuzues.

“Këtu i akuzuari K.B. është shpallur fajtor dhe që është gjykuar për rastin e njëjtë me aktgjykimin e formës së prerë me numër 766/2017  të datës 19.03.2019. Pra, në rastin konkret kemi të bëjmë me rast të gjykuar (res judicata), andaj konform nenit 52 dhe nenit 363 pargrafi 1 nënparagrafi 1.1. të KPP-së, tërhiqem nga ndjekja penale”, kishte thënë prokurori Skoro.

Ndryshe, i akuzuari K.B., lidhur me këtë rast, në seancën e 23 shtatorit 2019, ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën që ngarkohej nga prokuroria dhë për këtë gjë në gjykatë kishte sjellë aktgjykimin ku ai ishte shpallur fajtor për rastin e njëjtë. /BetimipërDrejtësi