Suharekë, 42% e banesave bosh, 78% e popullsisë jeton në fshat
Regjistrimi i fundit i popullsisë (2024) ka nxjerrë në pah një realitet të veçantë për komunën e Suharekës: ndërsa 78% e popullsisë vazhdon të jetojë në zona rurale, një pjesë e madhe e banesave në territorin e komunës qëndrojnë bosh.
Nga të dhënat zyrtare rezulton se vetëm 58% e banesave janë të shfrytëzuara, ndërsa 42% janë të pashfrytëzuara – përqindje dukshëm më e lartë se mesatarja kombëtare prej 36%.
Kjo përqindje e lartë e banesave të pashfrytëzuara hap shumë pyetje për të ardhmen e zhvillimit urban dhe ekonomik të komunës.
Me më pak se një e katërta e banorëve që jetojnë në zona urbane (22%), qendra e qytetit mbetet më e qetë se kurrë, ndërsa pjesa më e madhe e jetës zhvillohet në fshatra.
Ky fenomen ndikon në ritmin e zhvillimit ekonomik, në qarkullimin e bizneseve dhe në nevojën për shërbime publike të shpërndara më shumë në zonat rurale. Rrjedhimisht, sfidat për komunën nuk janë vetëm të natyrës urbanistike, por edhe sociale – si të bëhet jeta në qytet më tërheqëse për të rinjtë dhe si të shfrytëzohen banesat ekzistuese në vend që të ndërtohen të reja.