Rrahja e nxënësit nga drejtori i shkollës në Suharekë, flasin familjarët e viktimës

Rrahja e nxënësit nga drejtori i shkollës në Suharekë, flasin familjarët e viktimës
Fisnik Sadiku

03.06.2021 / Suhareka

Një i mitur ka raportuar në Polici se është keqtrajtuar fizikisht nga drejtori i shkollës. Rasti ka ndodhur të martën rreth orës 11:10, në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Shkëndija” në Suharekë.

Sipas familjes, drejtori ka keqtrajtuar nxënësin, madje edhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij.

“Edhe dje e ka rreh. Të premten e kish rreh me shkelma. Fëmija po kallëzojnë, na kena dëshmitarë. Ia ka gjet telefonin dje veç telefonin në klasë, edhe ka hi në klasë e ka rreh”, thotë familjarja e viktimës.

Përkundër ankesës së familjarëve të nxënësit, drejtori i shkollës, Ilmi Shala, mohon të ketë rrahur nxënësin.

“Nxënësi në fjalë e ka përdorur telefonin gjatë orës, unë kam insistu me ia marrë, e kam marrë pak në mënyrë të dhunshme është e vërtetë, po pa e përdor dhunën absolutisht, e kom çu në zyre, e kam këshillu, kemi bisedu me të, i kam thënë se s;bën me përdor gjatë orës. E binda për me u kthy në mësim. Telefonin në zyre i thash se do ta marrësh pasi të kryhet mësimi”, tha ai.

Ndërkaq, mjeku kujdestar në QKMF të Suharekës, tha se fëmija kishte shenja në fytyrë dhe ishte i shqetësuar.

“Fëmija i lajmëruar nga policia si dhunë fizike, vjen me simptoma shqetësimi. Ka pasur edhe një lloj skuqje të fytyrës e shprehur në anën e majtë më tepër se të djathtë. Në aspektin medicinal përshkruhet vetëm si skuqje, në realitet s’ka pasur shenja, gërvishtje apo gjakosje apo diçka tjetër”, tha ai për ATV.

Por, mësimdhënësit e këtij nxënësit thonë se ai është problematik dhe shpeshherë pengon orën e mësimit.

Kurse, drejtori i Arsimit në Komunën e Suharekës, Remzi Bjaselmani, tha se pasi të hetohet rasti, do të konsultohen për vendimet që do të merren.

Ndryshe, siç thuhet në raportin 24-orësh të policisë, sipas viktimës ngjarja ka ndodhur në objektin e shkollës.

“Viktima mashkull kosovar nxënës (i mitur), ka informuar se është keqtrajtuar fizikisht nga drejtori i shkollës i dyshuari mashkull kosovar. Sipas viktimës ngjarja ka ndodhur në objektin e shkollës. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe është liruar. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

RAPORTO