LVV Suharekë reagon për aktakuzën e ngritur për keqpërdorime në ndërtimin e shkollës në Tërrnje

para 14 dite

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në Suharekë ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me aktakuzën e ngritur së fundmi për keqpërdorime të dyshuara gjatë ndërtimit të shkollës “Vaso Pashë Shkodrani” në fshatin Tërrnje.

LVV Suharekë reagon për aktakuzën e ngritur për keqpërdorime në ndërtimin e shkollës në Tërrnje Foto: Lëvizja Vetëvendosje

Në reagimin e tyre, LVV thekson se organet edrejtësisë më në fund kanë konfirmuar një nga rastet më flagrante të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe dëmtimit të interesit publik, për të cilin ata kanë bërë denoncime të vazhdueshme ndaj zyrtarëve komunalë të Suharekës.

Sipas LVV-së, projekti dhe kontrata e nënshkruar për ndërtimin e shkollës parashikonin një objekt me podrum (B+P+1), ndërkohë që objekti është finalizuar pa këtë pjesë. Pas më shumë se tre vitesh hetime, Prokuroria ka ngritur aktakuza ndaj shtatë zyrtarëve të Komunës së Suharekës. Këta zyrtarë akuzohen se gjatë viteve 2018-2019, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë për Operatorin Ekonomik.

LVV thekson se menaxheri i projektit dyshohet se ka ndryshuar në mënyrë të paligjshme projektin ndërtimor, duke anashkaluar kompaninë projektuese dhe duke pranuar punë në kundërshtim me kontratën dhe me rregullat e prokurimit publik.

“Ky është një rast i rëndë i shkeljes së ligjit dhe shpërdorimit të parasë publike, ku fondet janë ndarë për ndërtimin e një objekti të plotë, përfshirë edhe podrumin, por në realitet podrumi nuk është i realizuar,” thuhet në reagimin e LVV-së.

LVV rithekson rëndësinë e përgjegjësisë institucionale dhe kërkon që ky rast të trajtohet me seriozitet të plotë nga gjykatat, në mënyrë që të rikthehet besimi i qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në menaxhimin e drejtë të fondeve publike. Ata e konsiderojnë këtë rast si një precedent të nevojshëm për të ndalur pandëshkueshmërinë e zyrtarëve që abuzojnë me detyrën dhe dëmtojnë interesin publik.

Etiketat

Ofertat e fundit