“Keqklasifikimi i shpenzimeve, përfitim i serave pa plotësuar kriteret” – Disa nga gjetjet e auditorit për Komunën e Suharekës
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë për Komunen e Suharekës.
“Në kualifikim të opinioneve kryesisht kanë ndikuar: mbivlerësimi/nënvlerësimi i pasurive; prezantimi jo i saktë i llogarive të arkëtueshme dhe detyrimeve kontigjente si dhe klasifikimi joadekuat i shpenzimeve” kanë treguar nga ky institucion auditues në vend.
Një nga çështjet kryesore të ngritura është keqklasifikimi i shpenzimeve në vlera të mëdha. Raporti zbulon se shpenzime në vlerë totale prej 2,507,110 euro janë keqklasifikuar në kategori të ndryshme ekonomike. Kjo përfshin pagesa për paga jubilare, shujta dhe kualifikime të arsimtarëve, të cilat janë paguar nga kategoritë e investimeve kapitale, mallrave dhe shërbimeve, si dhe subvencioneve dhe transfereve, ndonëse nuk i takonin atyre kategorive. Kjo sjell pasqyra financiare të pasakta dhe informacione çorientuese.
Gjithashtu, është konstatuar nënvlerësim i obligimeve të papaguara për 42,118 euro, si dhe mbivlerësim i detyrimeve kontingjente për 19,786 euro dhe mbivlerësim i llogarive të arkëtueshme për 10,685 euro. Këto mangësi, sipas ZKA-së, ndodhin si rezultat i kontrolleve të dobëta të zyrës së financave dhe mungesës së vëmendjes gjatë raportimit.
Raporti ka nxjerrë në pah edhe parregullsi të theksuara në procesin e prokurimit dhe menaxhimin e projekteve kapitale:
- Ndryshimet në shumat e ndara buxhetore të projekteve kapitale pa aprovim të Kuvendit Komunal: Në 15 pagesa në vlerë totale prej 305,213 euro, fondet janë marrë nga projekte të tjera pa aprovimin e Kuvendit Komunal. Kjo ndikon në transparencën dhe llogaridhënien e shfrytëzimit të fondeve publike.
- Specifikimi i prodhuesit në paramasë dhe parallogari: Zyra e Prokurimit në dy raste, për ndërtimin e sallave sportive, ka specifikuar emra të prodhuesve (si Horman dhe Kosova Term) në vend që të përdorte formulimin “ose të barasvlershme”. Kjo shkel rregullat e prokurimit publik dhe mund të dëmtojë konkurrencën.
- Përdorimi i gabuar i kontratës publike kornizë: Është përdorur një kontratë kornizë me çmim për njësi për ndërtimin e rrugëve, ndonëse rregullorja e lejon këtë lloj kontrate vetëm për riparime/mirëmbajtje, jo për ndërtim. Kjo mund të shkaktojë probleme në realizimin e projektit.
- Mosrespektimi i hapave për procedimin e pagesave: Në 23 raste në vlerë 1,173,776 euro, nuk janë respektuar hapat e përcaktuar për procedimin e pagesave, duke rezultuar në rritjen e mundshme të obligimeve komunale.
- Mungesa e projekteve ekzekutuese: Për tre projekte kapitale të rëndësishme (ndërtimi i rrugëve lokale, kanalizimeve dhe rrugëve në fshatin Bukosh) nuk ishin përgatitur projektet ekzekutive. Kjo mund të shkaktojë vështirësi në zbatim, vonesa dhe rritje të kostove.
ZKA thekson se këto gjetje dhe rekomandime kanë për qëllim korrigjimin e informacionit financiar dhe përmirësimin e kontrolleve të brendshme. Shumica e rekomandimeve janë pranuar nga menaxhmenti i Komunës së Suharekës. Megjithatë, menaxhmenti nuk është pajtuar me disa prej gjetjeve, siç është ajo për specifikimin e prodhuesit në dosjet e tenderit dhe përdorimin e gabuar të kontratës kornizë, si dhe me atë për mosrespektimin e kritereve në dhënien e subvencioneve.