Gjykimi për heqjen e “policëve të shtrirë” në Savrovë, dëshmitari thotë se kishte qenë në ndikim të alkoolit kur ishte deklaruar në polici

Gjykimi për heqjen e “policëve të shtrirë” në Savrovë, dëshmitari thotë se kishte qenë në ndikim të alkoolit kur ishte deklaruar në polici
Fisnik Sadiku

22.06.2021 / Suhareka

Në gjykimin ku H.B po akuzohet se ka kryer veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, në seancën e së hënës dëshmitari B.J deklaroi se nuk është i sigurtë për deklaratën që kishte dhënë në polici për këtë rast, pasi tha se kishte qenë në ndikim të alkoolit.

Fillimisht, dëshmitari B.J tha së natën kritike ka diskutuar me të akuzuarin, lidhur me faktin nëse duhet t’i hiqnin apo jo pengesat në rrugë, të njohura ndryshe si “policët e shtrirë”.

“Jemi kapur me fjalë mes vete me H.B se duhet t’i heqim pengesat në rrugë apo nuk duhet t’i heqim”, deklaroi ai, duke shtuar se i akuzuari nuk kishte shkruar atë natë në lokal me një copë të “policit të shtrirë”.

“Ka ardhur me një copë të zezë, masë plastike”, ka thënë dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E i pyetur nga prokurori Naim Gashi, ai tha se kjo që po deklaron gjatë kësaj seance është e vërtetë dhe se nuk është i sigurte për deklaratën e dhënë në polici, pasi tha se ka qenë në ndikim të alkoolit.

“E vërteta është ajo që po them sot, sepse deklaratën e dhënë në polici e kam dhënë në ndikim të alkoolit dhe nuk jam i sigurt për të”, ka deklaruar B.J.

Tutje, i pyetur nga i akuzuari nëse ka qenë ai që e ka hequr pengesën afër shkollës në Svavrovë, dëshmitari ka mohuar një gjë të tillë.

Pas dëgjimit të tij, prokurori Gashi ka propozuar që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet edhe N.B, i cili tha se ka qenë i pranishëm në atë lokal në ditën kritike.

Gjykatësi Lavdim Bajraktari e caktoi seancën e radhës për 13 korrik, nga ora 10:30.

H.B po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prizren se më 20 dhjetor 2019, rreth orës 02:45 pas mesnate, në rrugën “Uji i mirë” në fshatin Savrovë të Komunës së Suharekës, dëmton pasurinë, pronë publike e të dëmtuarës Komunës së Suharekës.

Këtë thuhet se e ka bërë ashtu që pa ndonjë arsye, derisa ishte duke qëndruar në një lokal, del nga lokali dhe shkon në vendin e lartcekur dhe me një mjet të përshtatshëm i heq nga rruga pesë pengesat (policët e shtrirë), të cilat ishin vendosur nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim, me qëllim të ngadalësimit të shpejtësisë së veturave, për parandalim të aksidenteve në atë zonë, me ç’rast të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm material.

Me këto veprime, H.B akuzohet se ka kryer veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 321, paragrafi 3 i Kodit Penal të Kosovës, kryesi i së cilës dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet, pavarësisht dëmit të shkaktuar./BetimipërDrejtësi

Test antigjen për COVID-19 vetëm 15€, rezultati brenda 30 minutave

Në Laboratorin “RIOLAB” kryhet testi i shpejtë i antigjenit për COVID-19. Testi i antigjenit përdoret në diagnozën e infeksionit COVID-19....

Lexo më shumë

Të fundit