Dhunimi seksual i të miturës në Budakovë, 1 muaj paraburgim për të dyshuarin

03.02.2021

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj N.K., i cili po dyshohet për dhunimin e një të miture në Suharekë. Masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh u caktua nga gjykatësja e procedurës paraprake, Ajser Skenderi, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prizren. Në aktvendimin për fillimin e hetimeve të prokurorisë […]

Dhunimi seksual i të miturës në Budakovë, 1 muaj paraburgim për të dyshuarin Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj N.K., i cili po dyshohet për dhunimin e një të miture në Suharekë.

Masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh u caktua nga gjykatësja e procedurës paraprake, Ajser Skenderi, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prizren.

Në aktvendimin për fillimin e hetimeve të prokurorisë së lartpërmendur, dyshohet se N.K., më 1 shkurt 2021, rreth orës 18:00 dhe më pas rreth orës 23:00, brenda së njëjtës ditë, e detyron  personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit.

Tutje, në aktvendimin për fillimin e hetimeve thuhet se derisa viktima në momentin kritik gjendej e vetme në shtëpi, i pandehuri shfrytëzon momentin e volitshëm, futet në shtëpinë e saj dhe paraprakisht e grushton në fytyrë – saktësisht në afërsi të syrit të saj të majtë, e detyron të zhvishet dhe pa pëlqimin e saj e detyron të kryej marrëdhënie seksuale.

Në këto rrethana, N.K. dyshohet se ka kryer veprën penale të dhunimit, nga neni 227, paragrafi 4, pika 4.8, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. 

Ndërsa SuharekaOnline nga burimet mëson se N.K (emër i njohur për redaksinë) rreth moshës 45 vjeçare ka dhunuar seksualisht të miturën (rreth moshës 17 vjeçare).

Njoftimi nga Gjykata Themelore e Prizrenit

Caktohet masa e paraburgimit ndaj një (1) të pandehuri, për veprën penale: dhunimi Prizren, 03 shkurt 2021

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit N.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: dhunimi nga neni 227 par. 4 pika 4.8 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtarja e procedurës – Ajser Skenderi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do ti llogaritet prej datës 02.02.2021 deri me datën 04.03.2021.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit N.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së Paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se ditën kritike i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale të dhunimit ndaj të dëmtuarës – e moshës së mitur, ashtu që: – Fillimisht në orët e pasdites dhe sërish në orët e vona të mbrëmjes, brenda të njëjtës ditë, derisa viktima – e mitura, gjendej e vetme në shtëpi, i pandehuri e shfrytëzon momentin e volitshëm futet në shtëpinë e saj dhe paraprakisht e grushton në fytyrë, e detyron të zhvishet dhe pa pëlqimin e saj e detyron të kryej marrëdhënie seksuale, – Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse hetimet në këtë çështje posa kanë filluar, në vijim të procedurës duhet të dëgjohet, i pandehuri, dëshmitarët, po ashtu në këtë çështje duhet të mblidhen edhe provat të tjera, andaj është konstatimi i gjykatës se caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm, dhe i domosdoshëm për rrjedhën normale të kësaj procedure penale.

Gjykata, duke vendosur lidhur me kërkesën për caktimin e paraburgimit i morri parasysh edhe masat tjera alternative, por konsideron se të njëjtat nuk janë të mjaftueshme dhe të sigurta për sigurimin e prezencës së pandehurit në procedurë gjer në sqarimin e rrethanave për të cilën ekziston dyshimi i bazuar se i pandehurit ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë e posaçërisht kur hetimet në këtë çështje penale janë në fazën fillestare.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.