Dështon seanca ndaj ekzaminerit nga Suhareka i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar
Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore e paraparë për të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj ekzaminerit të Qendrës për Patentë Shoferë në Prishtinë, Gëzim Kryeziu, i cili po akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Bashkë me Kryeziun, në këtë rast për veprën penale “pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, […]
Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore e paraparë për të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj ekzaminerit të Qendrës për Patentë Shoferë në Prishtinë, Gëzim Kryeziu, i cili po akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Bashkë me Kryeziun, në këtë rast për veprën penale “pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, akuzohej edhe zyrtari i “Money Gram”, Ekrem Zhegrova, i cili pas pranimit të fajësisë ishte dënuar me një vit burgim efektiv dhe 1,000 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Shkak për mosmbajtjen e kësaj seance ishte mungesa e avokatit Haxhi Millaku, pasi i njëjti kishte kërkuar që kjo seancë të shtyhet.
“Me datën 21 dhjetor me parashtresë e ka njoftuar gjykatën dhe ka kërkuar që seanca e sotme të shtyhet për ndonjë datë tjetër për shkak se ka rast vdekje në familje”, bëri të ditur gjykatësi Isuf Makolli.
Seanca e ardhshme pritet të mbahet me 29 dhejtor, ora 10:00.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 7 tetor 2019, ndaj Gëzim Kryeziut dhe Ekrem Zhegrovës, për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare” dhe “pranim i ryshfetit në sektorin privat”.
Kryeziu akuzohet se më 18 shtator 2019, rreth orës 11:00, në cilësi të ekzaminerit në Qendër për Patentë të Shoferëve në Prishtinë, duke shfrytëzuar pozitën e tij kishte marrë instruksione nga i akuzuari Zhegrova që t’i ndihmonte një kandidates në dhënien e provimit teorik për patentë shofer.
Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, Kryeziu pretendohet se iu kishte ofruar kandidates, duke i treguar me gisht pyetjet e sakta me qëllim që ajo të kalonte provimin në mënyrë të kundërligjshme pa pasur njohuri.
Me këtë ai akuzohet për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, nga neni 414 paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.
Kujtojmë se Gëzim Kryeziu është asambleist në asamblenë komunale në Suharekës në radhët e IQ – Iniciativa e Therandës.