Reflektimi i regjistrimit – Bie popullsia, pakësohen asamblistët në disa komuna të Kosovës
Zgjedhjet lokale të këtij viti në Kosovë do të sjellin ndryshime të rëndësishme, përveç atyre në udhëheqësi.
Një risi kryesore është ndryshimi i numrit të asamblistëve në 17 nga 38 komuna të vendit. Ky ndryshim vjen si rezultat i regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, i cili ka treguar luhatje të ndjeshme në numrin e banorëve në komuna të ndryshme.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, 15 komuna do të kenë nga 4 këshilltarë komunalë më pak. Kjo për shkak të rënies së numrit të popullsisë në këto zona. Ndër komunat që do të preken nga ky ndryshim janë Mitrovica, Vushtrria dhe Suhareka.
Nga ana tjetër, dy komuna, Fushë Kosova dhe Shtërpca, do të kenë nga katër anëtarë më shumë në asambletë komunale. Kjo për shkak të rritjes së numrit të banorëve në këto zona.
Shtëpia e Komunave ka konfirmuar se është në dijeni të këtyre ndryshimeve dhe se ato sjellin barrë shtesë në përputhje me normat ligjore. Megjithatë, ish-drejtori ligjor në Ministrinë e Pushtetit Lokal ka shprehur shqetësimin se numri i asamblistëve nuk duhet të preket përderisa ekziston një hendek i madh mes numrit të popullsisë dhe atij të votuesve.