Vashat e Kosovës U16 triumfojnë ndaj Moldavisë në EuroBasket
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll për vajza U16 ka shënuar fitoren e parë në kuadër të FIBA U16 EuroBasket 2025, Divizioni C, duke mposhtur Moldavinë me një rezultat bindës 43:56.
Në ndeshjen e zhvilluar në Pejë, “Dardanet e reja” treguan një paraqitje të shkëlqyer, duke arritur kështu fitoren e parë dhe tejet të rëndësishme në këtë kampionat evropian.
Ndeshja nisi me një ritëm të lartë për vashat e Kosovës, të cilat e dominuan çerekun e parë duke e fituar 9:13. Epërsia vazhdoi edhe në periudhën e dytë, ku me një mbrojtje të fortë dhe sulm efikas, ato fituan 8:9, duke shkuar në pushim me një avantazh solid.
Pjesa e dytë e lojës rikonfirmoi dominimin e Kosovës. Vajzat tona vazhduan lojën e mirë kolektive, duke fituar çerekun e tretë 17:21 dhe atë të katërtin 8:13. Kjo performancë e qëndrueshme vulosi fitoren përfundimtare me 13 pikë diferencë, 43:56.
Kjo ndeshje ishte e fundit në fazën e grupeve për Kosovën, duke e mbyllur këtë cikël me një fitore të merituar që do t’i shërbejë ekipit për moralin në vazhdim të garave.
E premtja do të jetë ditë pushimi për të gjitha ekipet. Kampionati Evropian do të vazhdojë ditën e shtunë me ndeshjet e radhës. Kosova do të përballet me Gjibraltarin në garën për pozitat 5-8.
Në fazën gjysmëfinale, do të zhvillohen duelet tejet interesante mes Shqipërisë dhe Qipros, si dhe Maltës kundër Armenisë.