Takim koordinues për sigurinë, zbatimi i rregullave të trafikut në qendër të diskutimit
Komuna ka organizuar sot një takim koordinues me përfaqësues të institucioneve relevante dhe strukturave të sigurisë për të diskutuar çështjet aktuale të sigurisë dhe përgatitjet për aktivitetet e ardhshme në komunë.
Nënkryetarja e Komunës, Mihrije Suka, hapi takimin duke prezantuar një përmbledhje të aktiviteteve të zhvilluara gjatë dy javëve të fundit. Ajo veçoi organizimin e dëgjimeve publike për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2026-2028, duke theksuar rëndësinë e planifikimit të mirë buxhetor për të ardhmen e komunës.
Komandanti i Stacionit Policor, Afrim Sylaj, raportoi mbi gjendjen e sigurisë në komunë, duke vlerësuar se periudha e fundit ka qenë e qetë dhe stabile.
Një pikë e rëndësishme e takimit ishte prezantimi i Planit Operativ për siguri në komunikacion. Ky plan parasheh masa shtesë me qëllim të parandalimit të përdorimit të telefonave celularë gjatë ngasjes së automjetit dhe qarkullimit të motoçikletave pa pajisjet e nevojshme mbrojtëse. Në kuadër të këtij plani, gjatë dy javëve të fundit janë shqiptuar gjithsej 824 tiketa trafiku dhe 29 urdhëresa.
Takimi u mbyll me diskutime të tjera rreth çështjeve të sigurisë dhe me zotimin për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve për të mirën e qytetarëve.