Maroku mposht edhe Portugalinë dhe siguron gjysmëfinalen
- 10.12.2022

Përfaqësuesja e Marokut ka fituar me rezultat 1-0 ndaj Portugalisë në ndeshjen çerekfinale të vlefshme për Kupën e Botës “Katar 2022”.
Maroku ka vazhduar me befasi duke fituar edhe ndaj Portugalisë në ndeshjen e zhvilluar në Al Thumama Stadium të Dohas.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të portugezëve, të cilët krijuan disa raste, por vetëm Maroku gjeti golin.
Goli i vetëm në këtë pjesën erdhi në minutën e 42-të dhe ishte Youssef En Nesyri, i cili shënoi një gol të bukur me kokë për 1-0.
Portugalia rastin më të mirë e pati në minutën e fundit të kësaj pjese, por goditja e fortë e Bruno Fernandes u ndal nga traversa.
Në pjesën e dytë, Fernando Santos kompletoi të gjitha zëvendësimet duke inkuadruar emra si Cristiano Ronaldo dhe Rafael Leao, ndërsa sulmet nuk i ndalen nga minuta e parë e kësaj pjese duke dominuar plotësisht.
Megjithatë, mbrojtja e Marokut ishte e pathyeshme duke mbuluar çdo hapësirë dhe duke ndalur çdo sulm dhe goditje të portugezëve deri në minutën e fundit.
Portugezët rrezikuan me anë të Goncalo Ramos (58’), Bruno (64’), Joao Felix (83’) dhe Cristiano Ronaldo (90+), por portieri Bono bëri disa pritje të jashtëzakonshme për t’ia mohuar golat.