Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu priten nga ministri Çeku pas suksesit në Botërorin e Xhudos
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka pritur sot në zyrën e tij dy prej kampioneve më të suksesshme të sportit kosovar – Distria Krasniqin dhe Laura Fazliun, të cilat shkëlqyen në Kampionatin Botëror të Xhudos.
Në një postim në rrjetin social Facebook, ministri Çeku ka shprehur krenarinë dhe mirënjohjen për dy medalistet, duke theksuar rëndësinë e vazhdueshme të sportistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.
“Kampionet tona sërish në majat botërore! 🇽🇰 Sot i prita me shumë kënaqësi në takim Distria Krasniqin dhe Laura Fazliun, të cilat na bënë krenarë në Kampionatin Botëror të Xhudos, Disi me medaljen e argjendtë dhe Laura me të bronztën”, shkroi ministri.
Ai gjithashtu ka përgëzuar trajnerët Toni Kuka dhe Majlinda Kelmendi, si dhe Agron Kukën, kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës, për punën dhe angazhimin e palodhshëm që vazhdimisht po sjellë rezultate të jashtëzakonshme për vendin.
“Kosova vazhdon të shkëlqejë në sport falë punës, disiplinës dhe talentit të sportistëve tanë,” përfundoi Çeku.
Ky sukses i radhës për xhudistet kosovare vjen vetëm pak muaj para Lojërave Olimpike Paris 2024, ku pritet që Kosova të përfaqësohet sërish me emra të mëdhenj në sportin e xhudos.