Xhudistja kosovare Enise Zijade fiton medaljen e bronztë në Maqedoninë e Veriut

24.07.2025

Kosova ka shënuar suksesin e parë në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF) që po mbahet në Shkup, Maqedoni, falë xhudistes së re Enise Zijade, e cila ka fituar medaljen e bronztë.

Kjo është medalja e parë për sportin e xhudos dhe e dyta në histori të pjesëmarrjes së Kosovës në EYOF, duke e bërë fitoren edhe më domethënëse për sportin kosovar.

Xhudistja kosovare nisi garat me formë të shkëlqyer, duke mposhtur në xhiron e parë Lea Boltvanova nga Sllovakia, e më pas edhe Haya Veinhandl Obaid, po ashtu nga Sllovakia. Në çerekfinale, ajo arriti një tjetër fitore bindëse ndaj Maria Rusu nga Moldavia.

Në gjysmëfinale, Enise u përball me Jolinda Reinhold nga Gjermania, ndaj së cilës pësoi humbje, por kjo nuk e ndali rrugëtimin e saj. Ajo vazhdoi drejt finales për medaljen e bronztë, ku tregoi karakter të fortë dhe vendosmëri, duke triumfuar ndaj Anita Comba nga Italia.

Kjo medalje përfaqëson një arritje të madhe për sportin e xhudos në Kosovë dhe një motivim shtesë për talentët e rinj që garojnë në skenën evropiane.