Nora Gjakova zgjidhet anëtare e Komisionit të Sportistëve në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos
Kampionia olimpike nga Kosova, Nora Gjakova, është zgjedhur zyrtarisht anëtare e Komisionit të Sportistëve në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos (IJF).
Lajmi është bërë i ditur nga Federata e Xhudos së Kosovës përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale.
Pas një karriere të jashtëzakonshme si kampione olimpike, medaliste botërore dhe kampione evropiane, Nora do të japë tani kontributin e saj edhe jashtë tatamit, në një rol të rëndësishëm që ndikon drejtpërdrejt në të ardhmen e sportit të xhudos në nivel global.
Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka vlerësuar lart përvojën, perspektivën dhe përkushtimin e saj, duke theksuar se këto cilësi do ta bëjnë Norën një përfaqësuese të denjë dhe të fuqishme për xhudistët në mbarë botën.
“Urime, Nora! Ti jo vetëm që e ke ngritur flamurin e Kosovës në arenat më të mëdha, por tani po ndihmon edhe në formësimin e të ardhmes së xhudos për brezat që vijnë. Jemi me ty dhe krenarë për ty, sot dhe gjithmonë!”, thuhet në njoftimin e Federatës së Xhudos së Kosovës.