Chiellini ëndërron trofeun me Italinë, flet për atë që ndodhi me Jordi Albën

09.07.2021

Euro 2020 tashmë ka dy finalistët e saj, Italia dhe Anglia do të luajnë për titullin e më të mirit të dielën më 11 korrik. Kombëtarja e Italisë në drejtim të Roberto Mancini kaloi në finale pasi mposhti Spanjën me penallti, ku ishte më efektive në gjuajtjen e tyre, duke humbur vetëm një goditje dhe duke […]

Euro 2020 tashmë ka dy finalistët e saj, Italia dhe Anglia do të luajnë për titullin e më të mirit të dielën më 11 korrik.

Kombëtarja e Italisë në drejtim të Roberto Mancini kaloi në finale pasi mposhti Spanjën me penallti, ku ishte më efektive në gjuajtjen e tyre, duke humbur vetëm një goditje dhe duke përfituar nga dy gabimet të La Rojas.

Ndërsa Anglia në drejtim të Gareth Southgate gjatë mrëmjes së djeshme arriti që të kualifikohet në finalen e madhe duke e mposhtur Danimarkën në vazhdime.

Mbrojtësi Giorgio Chiellini nuk ka fituar ende asnjë trofe me Kombëtaren e Italisë, por tani ka shansin në këtë kampionat evropian.

Në finalen e 11 korrikut, ai do të luajë ndeshjen e 112-të me kombëtaren italiane, që do të ballafaqohet me Kombëtaren e Anglisë në stadiumin “Wembley” të Londrës me fillim nga ora 21:00.

E për këtë finale ka folur kapiteni i kombëtares së kaltër në drejtim të Mancinit.

Ai tha është duke u afruar ajo që kemi ëndërruar në tre vitet e fundit, që trajneri i’a ka ngulituar në kokë pikë për pikë.

“Po afron ajo që kemi ëndërruar në tre vitet e fundit, që trajneri na e ka ngulitur në kokat tona pikë për pikë. Emocionet kanë ardhur në rritje, kjo na ka mundësuar të zhvillojmë një Europian madhështor dhe të krijojmë brenda nesh bindjen që mund të arrijmë deri në fund”, tha ai.

Po ashtu Chiellini ka theksuar se natyrisht që tensioni do të shënojë rritje, por se do ta transformojnë atë në energji pozitive.

“Tensioni do të vijë në rritje, por ne do ta transformojmë atë në energji pozitive. Do kisha preferuar ta luanim këtë ndeshje në Romë, kjo është e sigurt, por shpresojmë të përjetojmë një tjetër mbrëmje fantastike për të gjithë Italinë”.

Penalltinë që e shënoi Jorginho, ishte vendimtare në ndeshjen gjysmëfinale me Spanjën, e këtë gol Giorgio Chiellini e shijoi i bashkuar me Manuel Locatellin

Ai tha se e përqafoi Locatellin që nga penalltia e parë në të fundit, pasi që ai ishte i dëshpëruar që humbi penalltinë e vet.

“Unë e përqafova Locatellin nga penalltia e parë në të fundit, ishte i dëshpëruar që humbi penalltinë e vet.

Qëndruam të përqafuar gjatë gjithë kohës, duke ndarë me njëri-tjetrin gjëra që do të mbeten gjatë gjithë jetës brenda nesh dhe se në fund ishte një përqafim çlirues, sigurisht që lotët nuk munguan”.

Po ashtu mbrojtësi italian ka folur edhe në lidhje me biseden që e kishte bërë me lojtarin e Spanjës, Jordi Alba para goditjeve të penalltive.

“Jordi Alba? Është folur shumë për këtë çështje, por nuk ishte asgjë e veçantë. Arbitri na tha ne duhet të zgjidhnim, e kuqja do të ishte në njërën anë, bluja në anën tjetër. Jordi Alba ndoshta u hutua disi, ndërsa unë i thashë që do kualifikoheshim ne.

Bëj shaka, por unë mendoj se skuadra jonë ka bërë një Europian të jashtëzakonshëm. Nëse jemi këtu është falë të gjithëve dhe një kuzhinier të madh që ka mundur t’i japë dozën e duhur gjithçkaje”, përfundon Chiellini