Bashkimi bën histori: Për herë të parë në kualifikimet e FIBA Europe Cup!
Basketbolli kosovar po shënon një tjetër moment historik! FIBA Europe Cup ka bërë njoftimet për edicionin e ri të garave, dhe lajmi kryesor për tifozët kosovarë është pjesëmarrja e nënkampionit të Kosovës, Bashkimi, për herë të parë në kualifikimet e kësaj gare prestigjioze.
Skuadra prizrenase, e cila pati një edicion mjaft pozitiv dhe konkurrues deri në fund në ligën vendase, shpreson të kalojë me sukses fazën kualifikuese dhe të sigurojë një vend në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup. Ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen me formatin “vajtje-ardhje”, ku skuadra fituese do të sigurojë kalimin në fazën tjetër.
Deri më tani, 29 skuadra janë regjistruar për edicionin e ri të FIBA Europe Cup. Këtyre u shtohen edhe 19 klube që vijnë nga turnetë kualifikues të Ligës së Kampionëve, mes të cilave është edhe kampioni i Kosovës, Trepça. Nëse ndonjë nga këto ekipe nuk arrin të kualifikohet në Ligën e Kampionëve, ato do të kalojnë direkt në edicionin e rregullt të FIBA Europe Cup.
Formati i edicionit të rregullt do të mbetet i njëjtë, me 40 klube të ndara në 10 grupe me nga katër ekipe.
Të gjithë sytë do të jenë drejtuar nga Mynihu i Gjermanisë, ku të mërkurën, më 23 korrik, do të hidhet shorti si për kualifikueset ashtu edhe për edicionin e rregullt të FIBA Europe Cup. Ky është një hap i madh për Bashkimin dhe përfaqëson një mundësi të shkëlqyer për të treguar potencialin e basketbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.