Slloveni, policia konfiskon armët e përdorura nga shqiptarët në të shtënat te BTC në Lubjanë
Policia e Lubjanës ka ndërmarrë masa të vendosura pas një tubimi të padeklaruar që ndodhi në nëntor të vitit të kaluar në zonën e Qendrës Tregtare të Lubjanës (BTC).
Incidenti përfshinte grumbullimin e një numri të madh të shtetasve shqiptarë, për të festuar festën e pavarsisë së Shqipërisë, të cilët përdorën mjete piroteknike dhe armë alarmi, duke valëvitur flamuj. Pamjet e incidentit qarkulluan shpejt në internet.
Sipas Policisë së Lubjanës, në vendngjarje u evidentuan shkelje të ndryshme të rendit publik dhe legjislacionit rrugor. Gjatë operacionit, policia ndërmori masat e mëposhtme:
- Kryerja e procedurave kundërvajtëse ndaj gjashtë personave në vendngjarje.
- Konstatimi i tetë shkeljeve të tjera përmes analizës së kallëzimeve pas ngjarjes.
- Gjetja dhe sigurimi i disa gëzhojave, që më pas u analizuan nga ekspertët kriminalistikë. Këto gëzhoja rezultuan të jenë nga pistoleta alarmi pa predha.
- Identifikimi i dy personave që qëlluan me armë alarmi dhe konfiskimi i armëve të përdorura.
Policia ka konfirmuar se të dyja pistoletat janë dërguar për analiza të mëtejshme kriminalistike. Ndaj dy personave të identifikuar do të ngrihet aktakuzë në Gjykatën kompetente të Qarkut.
Grumbullimet e tilla të padeklaruara dhe veprimet që përfshijnë përdorimin e armëve alarmi, mjeteve piroteknike dhe vozitjen agresive përbëjnë një rrezik të lartë për sigurinë publike. Policia ka theksuar se këto situata mund të eskalojnë në vepra kriminale, duke përfshirë dëmtime të pjesëmarrësve dhe kalimtarëve të rastësishëm, si dhe rrezikimin e pasurisë publike dhe private.
Departamenti i Policisë së Lubjanës ka theksuar se do të reagojë shpejt dhe me vendosmëri për të parandaluar dhe adresuar çdo akt që kërcënon sigurinë publike. Për të siguruar rendin dhe qetësinë, policia ka rritur prezencën në zonat urbane të qytetit, veçanërisht gjatë fundjavave dhe periudhave kur pritet një fluks më i madh njerëzish.
Policia thekson rëndësinë e një angazhimi kolektiv për të ruajtur sigurinë. “Çdo individ mund të kontribuojë në rritjen e sigurisë duke vepruar me përgjegjësi,” deklaruan autoritetet policore, duke nënvizuar përkushtimin për të garantuar që Lubjana të mbetet një qytet i sigurt për të gjithë qytetarët dhe vizitorët.