Slloveni, policia ende në kërkim të personave që kanë vendosur flamurin shqiptar në automjetin e policisë
Pas ngjarjeve të dhunshme që ndodhën në qendrën tregtare BTC në Lubjanë, ku një grup personash, për shumicën e të cilëve dyshohet se janë anëtarë të komunitetit shqiptar, bllokuan trafikun dhe përdorën mjete piroteknike, policia sllovene ka nisur një hetim të thelluar.
Deri më tani, policia ka marrë masa ndaj gjashtë personave të përfshirë në shkelje të rendit publik, por ende po punohet për të identifikuar personat që kanë qëlluar me armë dhe kanë vendosur flamurin shqiptar në një automjet policie. “Të gjitha veprimet që kërcënojnë sigurinë e njerëzve janë të papranueshme”, theksuan zyrtarët e policisë.
Sipas Klemen Izda nga Departamenti i Policisë në NP të Lubjanës, policia u njoftua për grumbullimin e një numri të madh personash dhe automjetesh në zonën e BTC-së, të cilët qarkullonin në mënyrë agresive dhe përdornin mjete piroteknike.
Në vend të ngjarjes, policia konstatoi disa shkelje të rënda, siç janë bllokimi i trafikut, përdorimi i mjeteve piroteknike dhe shkelja e rendit dhe qetësisë publike. Pavarësisht se nuk pati persona të lënduar, policia thekson se një situatë e tillë mund të ketë pasoja të rënda nëse nuk kontrollohet.
Policia sllovene thekson se Lubjana është një qytet multikulturor dhe se ngjarje të tilla dëmtojnë bashkëjetesën e paqësorë midis komuniteteve të ndryshme. Ata shprehin shqetësim për faktin që një grup i vogël individësh po dëmton imazhin e të gjithë komunitetit të tyre.
Për të parandaluar incidente të tilla në të ardhmen, policia ka intensifikuar patrullimet, veçanërisht gjatë fundjavave. Gjithashtu, ata i bëjnë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo veprim të dyshimtë.