Alarm i kuq për motin në Slloveni, priten reshje dhe përmbytje të mëdha
Agjencia Mjedisore e Republikës së Sllovenisë (Arso) ka lëshuar një paralajmërim të kuq për motin, duke vënë në alarm pjesën jugperëndimore të vendit.
Ky alarm vjen si pasojë e parashikimeve për reshje të dendura dhe të zgjatura shiu, të cilat pritet të nisin nga mbrëmja e sotme, e martë, deri në mbrëmjen e së enjtes.
Meteorologët dhe hidrologët paralajmërojnë se situata do të jetë më serioze në Slloveninë perëndimore dhe jugperëndimore, veçanërisht në zonat e Istrias Sllovene dhe rajonin e Vipavës. Rreziku kryesor qëndron te përmbytjet e menjëhershme nga reshjet, si dhe nga dalja e mundshme e lumenjve të vegjël dhe përrenjve nga shtrati.
Sipas parashikimeve, lumenjtë në perëndim dhe jug të vendit do të fillojnë të fryhen që të mërkurën në mëngjes. Hidrologu Andrej Golob thekson se problemet më të mëdha do të shkaktohen nga reshjet e dendura që do të godasin të njëjtat zona për një kohë të gjatë. Përveç Istrias dhe Vipavës, rrezik për përmbytje ka edhe në pellgun e poshtëm të lumit Soča, atë të Sorës, Gradaščicës dhe në zonën më të gjerë të Lubjanës.
Meteorologu Branko Gregorčič shpjegoi se reshjet vijnë si rezultat i afrimit të një lugine ajri të ftohtë dhe formimit të një zone ciklonike mbi Mesdhe. Kjo po sjell ajër shumë të lagësht nga jugperëndimi drejt Sllovenisë. “Diçka e ngjashme me atë që kemi pasur në javët e mëparshme, por parashikimet janë më të rënda këtë herë sepse qendra e ciklonit do t’i afrohet rajonit tonë”, u shpreh ai.
Portali Neurje.si paralajmëron se sasia totale e reshjeve mund të jetë lokalisht ekstreme, duke shkaktuar sërish përmbytje të menjëhershme për herë të dytë, nëse jo të tretë, brenda dy javëve. Sipas portalit Meteoinfo Sllovenia, në disa vende të Sllovenisë jugperëndimore mund të bien 200 deri në 300 mm shi.
Për shkak të situatës së tensionuar, është lëshuar një alarm portokalli për pjesët veriperëndimore dhe qendrore të vendit.
Leon Behin, Drejtor i Përgjithshëm i Administratës Sllovene të Mbrojtjes Civile dhe Shpëtimit, ka ngritur pragun e gatishmërisë dhe ka lëshuar udhëzime për qytetarët. Ai këshillon që të pastrohen kanalet e kullimit dhe pusetat para fillimit të shiut.
Për ata që jetojnë në zona të rrezikuara nga përmbytjet, rekomandohet marrja e masave mbrojtëse, si p.sh. përdorimi i thasëve me rërë. Ai theksoi se edhe një pengesë 20 centimetrash mund të jetë e mjaftueshme për të parandaluar përmbytjen e katit të parë të shtëpisë.
Një tjetër paralajmërim i rëndësishëm i drejtohet shoferëve: mos ngisni automjetet në rrugët e përmbytura.