Moti i keq pezullon mësimin në 77 shkolla në Shqipëri
Moti i keq me reshje të dendura shiu dhe dëbore ka detyruar pezullimin e procesit mësimor në 77 shkolla në Shqipëri.
Foto: Ilustrim
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka njoftuar se ky vendim është marrë për të garantuar sigurinë e nxënësve, mësuesve dhe personelit arsimor në zonat më të prekura nga kushtet atmosferike të përkeqësuara.
Sipas njoftimit zyrtar, situata paraqitet më problematike në disa zona veriore dhe verilindore të vendit, përfshirë Bulqizën, Matin, Dibrën, Krujën, Hasin, Kukësin, Mirditën, Kurbinin, Pukën dhe zona të tjera përreth.
Ministria ka theksuar se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet vendore për të monitoruar gjendjen dhe për të marrë masa shtesë, nëse situata përkeqësohet më tej. Vendimi për pezullimin e mësimit do të qëndrojë në fuqi deri në një njoftim të dytë, duke pasur si prioritet sigurinë e të gjithë të përfshirëve në sistemin arsimor.
Nxënësit, prindërit dhe mësuesit janë të ftuar të ndjekin njoftimet zyrtare për informacione të mëtejshme mbi rifillimin e mësimit dhe masat e tjera të marra nga institucionet përkatëse.