Luleshtrydhja ju mbron nga sëmundjet e zemrës dhe diabeti

Luleshtrydhja ju mbron nga sëmundjet e zemrës dhe diabeti
F K

05.05.2021 / Shëndeti

Luleshtrydhet janë një ndër frutat më të njohura dhe të shijshme të pranverës dhe në të njëjtën kohë, ato na bëjnë mirë për shëndetin.

Lëngu i luleshtrydheve përmban një pasuri vlerash unike shëndetësore dhe mbart veti dhe funksione mjaft të dobishme për trupin e njeriut.

Ato janë një burim i shkëlqyeshëm i vitaminës C dhe manganit dhe gjithashtu përmbajnë sasi të mira të vitaminë B9 dhe kaliumit.

Ato kanë disa përfitime, katër prej tyre ua sjellim më poshtë:

Parandalojnë sëmundjet kardiovaskulare

Luleshtrydhet janë të pasura me antocianinë, nga të cilat kanë edhe ngjyrën e kuqe karakteristike. Antocianinat parandalojnë sëmundjet kardiovaskulare.

Ndihmojnë në rregullimin e sheqerit

Të hash luleshtrydhe sidomos në kombinim me karbohidrate ndihmon në rregullimin e glukozës në gjak. Kjo veti i atribuohet antocianinave që ato përmbajnë. Gjithashtu, polifenolët që përmbajnë luleshtrydhet kontribuojnë në rregullimin e sheqerit, por edhe të presionit të gjakut.

Mbrojnë nga kanceri

Studimet tregojnë se luleshtrydhet mund të parandalojnë lloje të caktuara të kancerit. Ky efekt mbrojtës mendohet të jetë për shkak të kombinimit të polifenoleve, duke përfshirë acidin ellagjik dhe ellagitannin, të cilat kanë treguar në studimet, që janë bërë te kafshët, se pengojnë rritjen e qelizave kancerogjene. Sidoqoftë, në këtë rast,është e nevojshme të bëhen studime njerëzore, për të konfirmuar këto veti, shkruan KP.

Ndihmojnë në menaxhimin e peshës

Luleshtrydhet kanë pak kalori (100 gr luleshtrydhe kanë vetëm 32 kalori), kështu që ato mund të përdoren si alternativë ndaj ëmbëlsirave, duke ndihmuar në kontrollin e peshës.

RAPORTO