Cigaret elektronike dhe produktet tjera të duhanit do të kenë etiketa parandaluese në paketimet e tyre

18.12.2024

Në mbledhjen e 238-të të Qeverisë së Kosovës, u miratua Projektligji për Prodhimin, Kultivimin, Grumbullimin, Përpunimin, Tregtimin dhe Kontrollin e Duhanit dhe Produkteve të Ndërlidhura.

Ky ligj ka për qëllim harmonizimin e legjislacionit të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian dhe përmbushjen e masave të programuara për integrimin evropian.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shpjegoi rëndësinë e këtij projektligji, duke nënvizuar se ai rregullon aspekte të rëndësishme të sektorit të duhanit:

“Me këtë projektligj përcaktohen masat për reduktimin dhe kufizimin e përdorimit të duhanit, produkteve të tij dhe produkteve të tjera të ndërlidhura, duke përfshirë etiketat e detyrueshme në paketimet e tyre dhe masat parandaluese kundër pirjes së duhanit.”

Ky projektligj, i cili është i harmonizuar me direktivën e BE-së 2014/40/BE, përfshin dispozita të rëndësishme për kontrollin dhe rregullimin e produkteve të reja si cigaret elektronike, të cilat deri më tani nuk ishin të përfshira në legjislacionin ekzistues.

Ndryshimet kryesore që priten nga ky projektligj përfshijnë:

  • Rregullimin dhe kufizimin e prodhimit dhe tregtimit të duhanit dhe produkteve të tij.
  • Vendosjen e etiketave të qarta paralajmëruese në paketimet e produkteve të reja të duhanit.
  • Masa parandaluese për të ulur konsumin e duhanit në nivel kombëtar.
  • Harmonizimin e legjislacionit vendas me standardet evropiane.