Mandarinat shqiptare bllokohen nga BE: Zbulohen pesticide të rrezikshme
Sistemi Europian i Sigurisë Ushqimore (RASFF) ka ngritur një alarm për sigurinë ushqimore pas zbulimit të pesticideve të ndaluara Chlorpyrifos dhe Phosmet në mandarinat me origjinë nga Shqipëria.
Këto substanca, të ndaluara për përdorim në Bashkimin Europian, përbëjnë rreziqe serioze për shëndetin e njeriut dhe kanë shkaktuar refuzimin e ngarkesave nga disa shtete europiane.
Chlorpyrifos është një pesticid i ndaluar në BE që nga viti 2020 për shkak të ndikimeve të rënda në trurin e fëmijëve, sistemin nervor dhe endokrin. Për më tepër, ai lidhet me rritjen e rrezikut për kancer dhe sëmundje kardiovaskulare.
Phosmet, gjithashtu i ndaluar, është toksik dhe ndikon në funksionimin normal të trupit të njeriut.
Sipas raportimeve të RASFF, Kroacia, Republika Çeke, Italia dhe Lituania kanë refuzuar disa ngarkesa me mandarina nga Shqipëria pas analizave laboratorike. Rastet e evidentuara janë si më poshtë:
- 29 nëntor 2024: Chlorpyrifos u gjet në një ngarkesë mandarinash në Kroaci.
- 11 dhjetor 2024: Phosmet u identifikua në një tjetër ngarkesë në Kroaci.
- 11 dhjetor 2024: Një ngarkesë tjetër me Chlorpyrifos u bllokua në Kroaci, me destinacion Italinë dhe Republikën Çeke.
Analizat treguan se mbetjet e pesticideve ishin 3 deri në 12 herë më të larta se kufijtë e lejuar nga rregulloret e BE-së të azhurnuara në shtator 2023.
Ministria e Bujqësisë ka konfirmuar se bëhet fjalë për tre ngarkesa mandarinash clementine të eksportuara nga subjekte ushqimore me vendndodhje në Berat dhe Fier. Në deklaratën e saj, Ministria ka sqaruar masat e ndërmarra për secilën ngarkesë:
- Ngarkesa e parë: Është rikthyer dhe asgjësuar në fshatrat Gorican (Berat) dhe Mursi (Konispol). Raporti i analizës paraprake nga një laborator në Bari të Italisë tregoi se produkti ishte konform përpara eksportit.
- Ngarkesa e dytë: Aktualisht e bllokuar në një subjekt grumbullues në Fier dhe pritet të asgjësohet në bashkëpunim me autoritetet përkatëse. Kjo ngarkesë nuk ka pasur një raport laboratorik shoqërues.
- Ngarkesa e tretë: Ende nuk ka mbërritur në Shqipëri dhe gjithashtu nuk ka qenë e shoqëruar me analizë laboratorike.
Ministria ka deklaruar gjithashtu se ka marrë masa administrative kundër subjekteve të përfshira, duke bllokuar aktivitetet dhe vendosur gjoba për moszbatim të ligjeve.
Ngarkesat me mandarina nga Shqipëria kanë shkaktuar shqetësim në tregjet europiane, ku produktet janë refuzuar menjëherë. Rregulloret strikte të BE-së dhe ndalimi i pesticideve si Chlorpyrifos dhe Phosmet synojnë të mbrojnë konsumatorët nga rreziqet shëndetësore.