Kurti i shpreh ngushëllime familjes Kasapi: “Ikje e parakohshme, që dhemb dhe duket e padrejtë”
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit të ndarjes nga jeta të këngëtarit të njohur shqiptar, Shpat Kasapi. Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe komunitetit artistik, duke e cilësuar humbjen si të rëndë dhe të papritur.
Përmes një telegrami ngushëllimi, Kurti shkroi se lajmi për vdekjen e artistit shqiptar është pritur me dhimbje të madhe nga qytetarët, pasi Shpati ishte një figurë që kishte shoqëruar breza të tërë me këngët dhe energjinë e tij pozitive.

“Një ikje e tillë, e papritur dhe e parakohshme, dhemb shumë dhe vjen si e padrejtë. Tingëllon edhe e pavërtetë, aq i ri ishte dhe gjithë atë energji e mbante dhe e rrezatonte”, shkroi Kurti në telegram.
Ai theksoi se Shpat Kasapi kishte arritur të krijonte një lidhje emocionale me publikun shqiptar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në muzikën moderne shqiptare.
“Humbja e tij na ka prekur të gjithëve, pa marrë parasysh profesionet apo gjeneratat. Shumë breza të pasluftës janë rritur me figurën e tij dhe këngët emblematike. Ai ka mbajtur një vend të veçantë në zemrat e të gjithëve si një djalë punëtor, i qeshur dhe jashtëzakonisht karizmatik”, shkroi Kurti, duke shtuar se komuniteti artistik ka humbur njërën nga figurat më të dashura.
Kryeministri në detyrë theksoi se muzika e Kasapit ka bashkuar shqiptarë në troje dhe në diasporë, duke veçuar ndikimin e tij në Kosovë, Luginë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri.
Në fund të telegramit, Kurti u shpreh:
“Ngushëllime gjithë familjes Kasapi, komunitetit artistik, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ngushëllime zonjës Gjylymser, zonjës Selvije dhe djalit Roel. Zoti u dhashtë forcën për të përballuar këtë humbje.”
Shpat Kasapi u nda nga jeta pas një sulmi në zemër, duke lënë pas një karrierë të pasur muzikore dhe mijëra admirues që u rritën me këngët e tij.