Ngrihet aktakuzë ndaj tre zyrtarëve publikë për rastin “KEK”: Dëmtuan buxhetin e shtetit me rreth 37 milionë euro
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë publike ngritjen e një aktakuze në rastin e njohur si “KEK”.
Foto: Ilustrim
Aktakuza është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurve N.K., Y.D., dhe I.Z.
Sipas akuzës, gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, të pandehurit, përmes veprimeve të tyre të kundërligjshme, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Kosovës, duke përllogaritur një humbje prej rreth 37 milionë euro. Prokuroria pretendon se të pandehurit janë përfshirë në veprat penale:
Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar,
Zbulimi i fshehtësisë zyrtare,
Ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Pas hetimeve intensive, ky rast ka kaluar në kompetencë të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili do të zhvillojë procedurat e mëtejshme për këtë çështje.
Prokuroria Speciale ka theksuar rëndësinë e trajtimit të rasteve të tilla për të garantuar integritetin institucional dhe mbrojtjen e interesit publik, duke premtuar transparencë gjatë gjithë procesit gjyqësor.
Rasti “KEK” ka tërhequr vëmendje të madhe publike, për shkak të shifrave të mëdha të përfshira dhe ndikimit të tij në buxhetin shtetëror. Institucionet relevante pritet të ndjekin nga afër këtë proces, ndërsa qytetarët presin drejtësi për këtë çështje që ka rëndësi të madhe për ekonominë dhe besimin publik.