Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj dy të personave për krime lufte kundër popullsisë civile
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë kundër dy të pandehurve, J.J dhe V.T, për veprën penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”, e paraparë sipas nenit 142 të Ligjit Penal të RSFJ-së, i cili ishte në fuqi gjatë kohës së kryerjes së veprës penale.
Foto: Ilustrim
Sipas aktakuzës, krimet dyshohet të jenë kryer gjatë periudhës së viteve 1998-1999, në fshatin Kaqanik i Vjetër, komuna e Kaqanikut.
Të pandehurit J.J dhe V.T akuzohen se, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kanë vrarë dy civilë shqiptarë, të identifikuar si R.E dhe M.H.
Hetimet e zhvilluara nga Prokuroria Speciale kanë vërtetuar gjithashtu se të pandehurit kanë kryer veprime të rënda dhune dhe abuzimi, duke rrahur, maltretuar fizikisht dhe psikikisht të dëmtuarin Sh.D dhe viktimat M.H dhe R.E. Po ashtu, ata kanë plaçkitur pasurinë e luajtshme të viktimave gjatë asaj periudhe.
Meqë të pandehurit J.J dhe V.T janë të paarritshëm për organet e drejtësisë, Prokuroria, në përputhje me nenet 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që gjykimi të mbahet në mungesë.
Prokuroria Speciale ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ndjekjen e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me qëllim të sigurimit të drejtësisë për viktimat dhe vendosjes së përgjegjësisë për autorët e këtyre veprave penale, në përputhje me standardet ndërkombëtare.