Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, si dhe ndaj ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj ministrie, B.K., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, Damka dhe B.K. akuzohen se në periudhën kohore nga 16 gusht 2021 deri më 24 mars 2022 kanë tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim të përfitimit për dy organizata joqeveritare, duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin përkatës.
Prokuroria thekson se të pandehurit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe me Procedurat për Financimin Publik të OJQ-ve. Ata akuzohen se kanë tejkaluar limitet e lejuara për financimin e OJQ-ve nga fondet publike, duke bërë ndarjen e mjeteve pa shpallur thirrje publike, siç kërkohet me ligj.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 1,040,000 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria Speciale ka propozuar para Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe ndaj tyre të shqiptohet dënim me gjobë dhe dënim me burgim efektiv.