Prokuroria propozon dënim me burgim për të miturin e dyshuar për vrasjen e rreshterit Lika

15.07.2025

Departamenti për të Mitur i Prokurorisë Themelore në Ferizaj ka propozuar shqiptimin e dënimit me burgim ndaj të miturit, i cili dyshohet për përfshirje në vrasjen e zyrtarit policor Muhamet Lika në Kaçanik.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria, ngjarja ka ndodhur më 1 prill 2025 rreth orës 23:00, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik. I mituri, në bashkëkryerje me persona të tjerë, dyshohet se me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta rreshterin e Policisë së Kosovës, M.L., në hyrje të objektit banesor ku ai jetonte.

Nga detajet e aktakuzës, rezulton se viktima ishte ndjekur nga i mituri dhe të pandehurit pas përfundimit të orarit të punës deri në hyrjen e ndërtesës së banimit. Gjatë ngjitjes së shkallëve, i mituri kishte hyrë pas tij dhe kishte shtënë katër herë me armë zjarri të kalibrit 9.19 mm, duke e plagosur rëndë viktimën.

Më pas, brenda një intervali kohor prej rreth 47 sekondash, i mituri dyshohet se ka dalë nga objekti duke vrapuar në drejtim të lokalit “Dukagjini”, ku është bashkuar me të pandehurin R.M., që po e priste jashtë. Sipas prokurorisë, gjatë ikjes është dëgjuar zëri i R.M. duke thënë “Bravo ik”.

Viktima, siç u konstatua në raportin e autopsisë, ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit.

Vrasja e zyrtarit policor Muhamet Lika shkaktoi tronditje dhe reagime të shumta në opinionin publik, duke ngritur shqetësime lidhur me sigurinë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës edhe jashtë detyrës zyrtare. Autoritetet janë zotuar për zbardhjen e plotë të rastit dhe ndëshkimin e përgjegjësve sipas ligjit.