Policia shqipton 201 gjoba për shoferët e kamionëve dhe autobusëve gjatë një jave

24.11.2025

Në kuadër të javës operative të planit ROADPOL 2025, Policia e Kosovës ka intensifikuar kontrollet në rrugët e vendit për të rritur sigurinë në trafikun rrugor dhe për të parandaluar aksidentet.

Ky plan, i zhvilluar nga data 17 deri më 23 nëntor 2025, ka pasur fokus kryesor kontrollin e mjeteve të transportit të mallrave dhe udhëtarëve, përkatësisht kamionëve dhe autobusëve.

Gjatë kësaj periudhe, njësitë e trafikut të angazhuara në planin ROADPOL kanë realizuar 630 pika kontrolli, ku janë inspektuar gjithsej 2,232 mjete të transportit të mallrave dhe udhëtarëve.

Si rezultat i kontrolleve, për parregullsitë e identifikuara janë shqiptuar 201 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, duke kontribuar kështu në rritjen e disiplinës në trafikun rrugor dhe uljen e rreziqeve për aksidente.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e shtuar në kontrollet e mjeteve të transportit të mallrave dhe udhëtarëve, në kuadër të përpjekjeve për të garantuar sigurinë dhe qetësinë në rrugët e vendit, duke u bazuar në bashkëpunimin dhe përputhshmërinë me standardet e Rrjetit Evropian të Policive Rrugore (ROADPOL).

Kjo iniciativë vjen si pjesë e strategjisë së policisë për parandalimin e aksidenteve dhe respektimin e rregullave të komunikacionit, duke siguruar një ambient më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.